
Sot me datën 14 qershor 2022 në orën 16:30 në Sallën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, Lezhë u zhvillua Akademia Përkujtimore e organizuar nga Shoqata Trojet e Arbrit me kryetar Nue Oroshi, nga Association Royaume du Soleil, Francë me kryetar Leon Molla dhe nga Forumi i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me kryetar Sokol Ndoci.
Këtë Akademi Përkujtimore e ka falenderuar dhe Artan Lleshi (Gjomarkaj) ku ndër të tjera në mesazhin e tij në rrjetet sociale shkruan:
76 vite nga vrasja e Kapidanit të Mirditës Dr. Mark Gjomarkaj.
Në 76 vite harresë, 45 prej të cilave dhunë e komunizmit, 30 e kusur harresë dhe heshtje, hera e parë që në qytetin e Lidhjes së Besës, mbahet një ceremoni perkujtimore ne homazh e kujtesë të Kapidanit të Mirditës Dr. Mark Gjomarkaj.
Mes fjalëve të thjeshta më lejoni të falenderoj nga zemra organizatorët e kësaj Akademie Përkujtimore.
Faleminderit drejtuesve të shoqatave
« Trojet e Arbrit »- z. Nue Oroshi,
« Asociacioni: L’ association Royaume du Soleil » France, z. Leon Molla
Forumi i të Drejtave të Njeriut, Lezhë Shqipëri z. Sokol Ndoci.
Faleminderit burrit të shquar dhe mikut të vyer të derës së Gjomarkut, z.Tom Mrijaj studiues dhe autor, ardhur nga Amerika bashkë me gazetarin e njohur z. Beqir Sina dhe me klerikun e njohur dom Anton Kçira.
Faleminderit z. Eugjen Merlika, studiues dhe përfaqësues i mikut të madh të derës së Gjomarkut, Mustafa Kruja.
Faleminderit Znj. Mirakaj dhe z. Sokol Mirakaj si përfaqësues i derës së madhe të Mirakajve.
Faleminderit mirditasve të mi, Av. Ndre Molla, Martin Dedaj, faleminderit shokë të vjetër të Oroshit, kusherinj, nipa e mbesa të Derës së Kapidanit për praninë tuaj sot në sallë. Faleminderit këngëtarit që zgjoj me zërin kumbues Prizren e Shkodër, faleminderit përsonaliteteve të Partisë Lëvizja e Legalitetit për praninë në nder e homazh të Kapidanit, faleminderit nipave të dom Zef Oroshit të cilët ishin krah nesh ashtu si Mon. Sign. Zef Oroshi dikur krah Kapidanit.
Sot unë gjeta një copëz lirie ndër sytë tuaj dhe më lini ta shijoj nën tingujt e Hymnit Kombëtar ndaj më lejoni të ruaj këtë kujtim si ndër më të shtrejtët kujtime të jetës time.
Kapidani im i dashtun Dr. Marku.
Sot filluam ti ngjesim emër Lirisë.
Ne do ta marrim guximin e ti thërrasim të vërtetës, edhe pse ti nuk je as së gjalli e as së vdekuri, eshtrat tua kanë gjet vend në fletore të historisë së Kombit si germat më të arta të epokës.
Të prehesh në palë të flamurit të Arbrit si vesa e një mëngjesi qershori. përfundon mesazhin Artan Lleshi Gjomarkaj.
Në mbyllje të kësaj Akademie u kërkua që të gjithë familjarët e të vrarëve në kohën e regjimit komunist të sillnin materiale dhe fakte pasi Nue Oroshi dhe Leon Molla kanë filluar punë për përgaditjen dhe botimin e Enciklopedisë së Krimeve Komuniste në Mirditë.
MEDIA INDEPENDENT