
Kjo revolte nisi si një incident i vogël mes një të dënuari dhe gardianit të Burgut të Spaçit, por përfundoi me revoltën e thuajse të gjithë të burgosurve, duke shkaktuar tronditje të fortë për institucionet e sigurisë dhe drejtuesit e qeverisë komuniste.
Për dy ditë deri kur u shtyp dhunshëm revolta, të dënuarit u bashkuan dhe kundërshtuan me forcë të dorëzoheshin, duke u konfrontuar fizikisht me gardianët e Burgut të Spaçit, të repartit 303 dhe të forcave të sigurimit dhe ushtrisë të mbërritur nga Tirana.
Gjithçka nisi më 21 maj 1973, kur të dënuarit Pal Gjergj Zefi pas një muaji izolim në qeli iu hap dera nga gardiani, për ti komunikuar se i kishte përfunduar vuajtja në izolim dhe të bashkohej me të dënuarit e tjerë.
Pal Zefi në ato moment largohet me vrap dhe ngjitet në një taracë të repaertit, duke mbajtur një shufër hekluri në duar dhe kërcënuar se do të godiste çdo guardian që i afrohej. Në ato momente bashkë me të afrohen edhe të dënuar të tjerë dhe këtu merr nismën revolta e të dënuarve që zgjati për dy ditë, deri në momentin që u shtyp dhunshëm.
Të dënuarit hodhën edhe parrulla politike si: “Poshtë komunizmi dhe Rroftë Shqipëria e Lirë”.
Pas shtypjes së revoltës ata që e pësuan më rëndë ishin Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj të cilët u dënuar me vdekje, pushkatim.
Pas ekzekutimit dyshohet se u varrosën në një varr të përbashkët në disa kodrina mes aksit rrugor Tiranë-Elbasan. Gjithashtu 66 të burgosur të cilësuar si më aktivët në revoltë u ridënuan me shumë vite.
Fondi i Monumenteve Botërore, e cila është një organizatë jofitimprurëse e themeluar në Nju Jork te SHBA, e ka renditur burgun e Spaçit në vitin 2016, një nga vendet më të çmuara në botë dhe e ka emërtuar si “ ndërtesë e rrezikuar për tu zhdukur”.
Kjo organizatë njeh një përpjekje të re duke përfshirë institucionet, shoqerinë civile dhe qytetarët privatë për të krijuar një institucion modern të kujtimit si Burgu Spaçit.
Politika e tranzicionit të tejzgjatur 30 vjeçar, post diktature, nxiton të kujtoje përvjetorin e radhes të kësaj masakre por asnjëherë nuk mori asnjë iniciativë për të ngritur muzetë e kujtesës si Burgun e Spaçit, të Burrelit, Qafë Barit apo kampin famëkeq të internimit në Tepelenë etj jo për neglizhencë apo mungesë fondesh.
Reminishencat e regjimit komunist kanë shoqëruar qeverisjet pas fitores së 22 Marsit 1992, që kanë treguar një farë vëmendje të sipërfaqshme për kujdesin ndaj shtresës së të përndjekurve dhe të persekutuarve politikë por asnjëherë nuk morën akte madhore për:
•dënimin e krimeve të komunizmit.
•dekomunistizimin e shoqërisë,
•gjetjen e eshtrave të të zhdukurve nga regjimi,
•ngritjen e muzeve të kujtesës si qendra të përkujtimit dhe edukimit.
•dëshpërblimin financiar të kësaj shtrese, zvarritur jo pa qëllim vit pas viti.
Aushvici në Poloni, krematoriumi i hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore i ngritur nga nazistët gjermanë vetëm 5 vite ka patur jetëgjatësi( maj 1940-Janar 1945) ndërsa Burgu Spaçit qëndroi plot 23 vite në këmbë për të izoluar dhe shtypur dhe zhdukur kundërshtarët e regjimit.
Qeverive u intereson që burgu Spaçit të shembet, që të harrohen të gjitha masakrat që janë bërë brenda atyre mureve.
Një popull që harron të kaluaren, ka shanse ta përsërisë në të ardhmen.
Lavdi përjetë martirëve të demokracisë!
Nga: Mark Ruçi
MEDIA INDEPENDENT