
Në Prillin e 1939, trupat ushtarake italiane pushtuan Shqipërinë, e cila pas një rezistence të shkurtër i dorëzoi armët dhe pranoi fatin e një vendi të vogël në prag të një Iufte të madhe. Është folur mjaft mbi këto ditë, jo vetëm në kujtimet e një sërë protagonistësh të kohës, por edhe nga një numër historianësh që janë marrë me këtë çështje.
Agresioni italian dhe indiferenca europiane ndaj këtij pushtimi të një vendi të vogël dhe të pambrojtur nga aleancat e fuqive të mëdha, ka qenë pikë debati në shumë shkrime apo analiza historike. Në përgjithësi, të gjithë kanë rënë dakord me faktin se askush në Europë nuk ishte i interesuar të prishte balancat e vendosura në Europën e dominuar nga ngjitja marramendëse e Gjermanisë naziste dhe ëndrrat e Italisë fashiste për ndërtimin e një Perandorie të re romake.
Por me sa duket, nga botimi i disa dokumenteve që vijnë nga Arkivi i Zbulimit Ushtarak Amerikan, duket se jo të gjithë kanë qenë indiferentë ndaj pushtimit italian të Shqipërisë.
Sipas dëshmive të dhëna gjatë marrjes në pyetje nga Shërbimi i Zbulimit Ushtarak Amerikan të Gjeneral-Kolonel, Alfred Jodl, ish-Shefi i Oberkomando Wehrmacht Gjermane (Stafi Operacional i Komandës së Lartë i Forcave Ushtarake Gjermane), del se personi i cili kundërshton me forcë pushtimin e Shqipërisë nuk është askush tjetër, përveçse Hitleri.
Nga deponimet e gjata të Gjeneralit Jodl, por edhe të oficerëve të tjerë që shërbenin në Komandën e Lartë gjermane, del se Hitleri është përpjekur të ndalojë invazionin italian kundër Shqipërisë në Prill të 1939-ës.
Është mjaft interesant fakti se Hitleri është vënë përpara faktit të kryer nga Duçja, i cili sipas dëshmive historike të botuara, ishte mjaft xheloz ndaj fitoreve të ushtrisë gjermane dhe për këtë arsye pushtoi një vend të vogël që nuk mund të ofronte rezistencë efektive.
Dëshmia e Gjeneralit Jodl e marrë nga dokumentet origjinale të Zbulimit Ushtarak Amerikan, përforcon mendimin se Duçja ka vepruar në momente impulsive dhe jo sipas një plani të studiuar mirë nga ekspertë ushtarakë.
Nëse pushtimi italian do të ishte planifikuar nga Shtabi i Përgjithshëm italian, sigurisht që aleati më i ngushtë i Italisë do të kishte dijeni paraprake dhe do të përpiqej që të koordinonte këto veprime në një plan më të gjerë për Ballkanin dhe Mesdheun.
Gjenerali Jodl shprehet qartë se Hitleri ishte kundër veprimeve italiane në Ballkan, pasi në këtë mënyrë ushtria gjermane e cila po përqëndronte vëmendjen maksimale ndaj Bashkimit Sovjetik, do të shpërqëndrohej në prapavijat e saj duke e komplikuar situatën ushtarake dhe politike në një rajon, i cili nuk ishte armiqësor ndaj Gjermanisë.
Gjenerali Jodl thotë se Hitleri u mundua shumë që të ndalonte pushtimin e Shqipërisë, duke ofruar në shkëmbim një pushtim të Kretës si një ishull shumë strategjik për veprime operacionale në Mesdhe.
Po kështu, me sa duket nga këto deponime, Hitleri ka qenë kundër pushtimit të Greqisë, pasi në këtë mënyrë do të tërhiqte Britaninë në Ballkan duke e komplikuar shumë Operacionin «Barbarosa» (pushtimin e Bashkimit Sovjetik) dhe do ta vononte atë në synimet e tij për ekspansionin në Lindje.
Humbjet e turpshme të Italisë në frontin italo-grek, me sa kuptohet kanë qenë arsyet përse Gjermania u detyrua të hynte në Ballkan dhe të pushtonte në mënyrë të rrufeshme Jugosllavinë dhe Greqinë.
Gjenerali Jodl, i cili ishte në një pozicion shumë të privilegjuar për të njohur të gjitha operacionet e ushtrisë gjermane, deponon se Gjermania nuk ka pasur asnjë synim për të pushtuar Ballkanin dhe aq më tepër Shqipërinë.
Dërgimi i një divizioni këmbësorie gjermane në Shqipëri është marrë në konsideratë nga Oberkomanda e Wehrmatit për të ndihmuar frontin italian në Jug të Shqipërisë dhe Gjenerali Jodl ka dërguar vëllain e tij për të shikuar mundësinë e ndërhyrjes gjermane.
Nga raporti i Gjeneralit gjerman, kuptohet se Shqipëria nuk ishte një vend që ofronte mundësi për të dërguar një divizion gjerman dhe për këtë arsye u krye pushtimi i Greqisë nga kufiri bullgar.
Mosinteresimi i Gjermanisë ndaj një pushtimi eventual të Shqipërisë duhej të ketë qenë i vërtetë nëse marrim në konsideratë dëshminë e Gjeneralit Jodl dhe kjo e mbështet idenë e një numri nacionalistësh shqiptarë pro gjermanë, të cilët gjatë Iuftës pretendonin se Gjermania ishte vetëm kalimtare dhe jo pushtuese.
Megjithatë, në momentin kur trupat gjermane hynë në Shqipëri për të ruajtur rrugëkalimet dhe bregun e Adriatikut, gjërat kishin shkuar shumë larg dhe rezistenca antifashiste kishte fituar një terren mjaft të gjerë.
Megjithëse pushtimi i Shqipërisë në 1939-ën kishte hasur në rezistencën e Hitlerit, tashmë në 1943, e detyruar nga rrethanat politike dhe kapitullimi italian, ushtria gjermane hyri më në fund në një vend, për të cilin jo më shumë se katër vite më parë ishte përpjekur që ta mbante larg nga ambiciet romantike të Duçes për krijimin e një Perandorie të re romane.
MEDIA INDEPENDENT
[…] Burimi nga Media independent FR […]
J’aimeJ’aime