
« Vrasja e Bardhok Bibës nuk është asgjë më tepër se pjesë e masakrës që bënë komunistët në Mirditë.
Mos harroni miq, se deri me 7 Gusht 1949 në Mirditë ishte vrarë Kapidani i Mirditës. Ishin djegur Sarajet e Kapidanit, që praktikisht ishin edhe Selia e Vetqeverisjes së Mirditës.
Kapidani Mark Gjonmarkaj, jo vetëm kapidan por edhe një personalitet i jashtëzakonshëm i Mirditës, ishte vrarë prej shokëve të Bardhok Bibës, të inkuadruar në brigadat terroriste të komunistëve shqiptarë. Bardhok Biba vetë nuk besoj se e kishte bërë, pavarësisht se ishte i mbushur me urrejtje për kundërshtarin të kultivuar e brumosur prej komunizmit slkavo-ruso-otoman të Enver Hoxhës.
Është e vërtetë së vrasja e Bardhok Bibës si Sekretarë i Parë i Komitetit të Partisë Komuniste për Mirditën dhe më pas të 14 Burrave ndër ma të mirët e Mirditës, ishte kulmimi i masakrave që Enver Hoxha dhe organizata e tij terroriste kishte vendosur të bënte në Mirditë, si e vetmja mënyrë për nënshtrimin e saj.
Por, përpos anës njerzore, ku vrasja e babait, bashkshortit, vëllait e tjerë, është e rëndë, shumë e rëndë, në planin politik, ishte thjeshtë një vrasje e paralajmëruar.
Që kur u themelua organizata terroriste komuniste, kishte marr angazhime para tutorve themelues jugosllav, përpos të tjerash, të sulmonte e të shkatërronte çdo gjë shqiptare historike në këtë vend, sidomos të lante hesapet me krahinat katolike ne veri të vendit dhe klerin e saj, të cilët ishin bërë pengesë gjatë gjithë historisë për nënshtrimin e trojeve shqiptare nga serbosllavët, sigurisht bashkë me bashkombasit e tjerë të këtyre anëve pa dallim.
Sot në këtë ditë, kam tre analiza për të bërë:
1. A i mbështeti Mirdita Partinë komuniste dhe idetë komuniste?
2. A e deshi Bardhok Bibën si komunist, apo e respektoi si mirditas?
3. A ishte vrasje e paralajmëruar vrasja e Sekretarit të Parë të Mirditës?
Mirdita ishte ndër krahinat e Shqipërisë që nuk e mbështeti komunizmin. Kjo është fare e qartë. Madje si komunist, nuk mbështeti as Bardhok Bibën. Edhe më fanatikët e tij në atë kohë, nuk thanë kurr « ishte komunist i mirë », por ishte « burrë i mirë ».
Po, edhe unë e besoj se ishte burrë që e njihte mentalitetin e mirditasit, dinte pra të sillej me mirësi me to, dhe me këtë u mundua të përqonte ideologjinë komuniste, prej të cilës ishte sëmurë vetë. U bashkua me të keqen më të madhe që i kishte ndodhur ndonjëherë Mirditës, komunizmin. Por, në sjellje publike mbeti deri në fund mirditas.
Është mashtrim i madh publik përpjekja 70 vjeçare për mitizimin e tij si komunist për Mirditën.
Si i gjomark e mirditas, sigurisht se Bardhok Biba e kishte derën hapur kudo nëpër Mirditë. Por jo si komunist. Kjo është traditë elementare e mirditasve shtëpi për shtëpi, me prit e me përcjellë mikun, kodi ma i vjetër i mirditasve e mbarë shqiptarve .
Mjafton tu sjellë në vemendje faktin domethënës se mirditorët pritën në të njëjtën kohë, në të njëjtën kullë, si Kapidanin Mark Gjon Gjonmarkaj me përkrahësit e tij në kullë, si Bardhok Bibën me përkrahësit e tij në katin përdhè. Ky është shembulli më i mirë i së vërtetës, se respekti për Bardhok Bibën, për aq sa ishte, ka qënë traditë mirditore.
E kam theksuar edhe herë të tjera, kur kemi fol për këtë çeshtje delikate, mirditasit nuk e kanë respektuar Bardhok Bibën si tribun popullor, si prijës apo si sekretarë i parë, sepse për të PARË e Kapidan të Mirditës njihnin Markun e Gjonit. E kanë respektuar si bir fis i largët me Gjonmarkajt, e për traditën e mikpritjes mirditore. Dhe kjo mjafton.
Komunizmin, Mirdita e ka parë ashtu siq rezultoi, anti Fè, anti Krisht e anti Zot. Kisha Katolike ishte « partia » e vetme e mirditorve për 2000 vjet. E nuk kishte si me përqafuar ideologjinë komuniste e përfaqësuesit e saj që ishin kundër besimit të tyre, sepse kishin sakrifikuar brez pas brezi, duke e ruajtur të pacënuar.
Në këtë kuptim, as komunizmin, as komunistët, as Bardhokun si komunist, Mirdita nuk e ka dasht. U desh mali me kufoma mirditorësh nga më të mirët, u desh përqarja, varfërimi e mjerimi, shkatrrimi i besimit për të arritur depertimi i komunizmit.
Ndoshta jemi e vetmja Krahinë ne Ballkan që ideologjia komuniste hyri me dhunë.
Vrasja e Bardhok Bibës ishte e paralajmëruar. I interesonte, ma së pari Tiranës terroriste të kohës kjo vrasje. Ishte e vetmja mënyrë dhe i vetmi justifikim i reprezaljeve të mëpasme për nënshtrimin e Krahinës antikomuniste të Mirditës.
Se ishte në luftë me forcat antikomuniste pushteti komunist i kohës e dinte kushdo. Por se në pritë, me 7 Gusht e quan bashkpunëtoret e tij, edhe kjo dihet.
Prandaj vrasja e Bardhok Bibës ishte vazhdimi i vrasjes, burgosjes, varfërimit e mjerimit më të madh të mirditorve.
Ky 7 Gusht vjen si 7 Gushtët e tjerë, si gjurmë kriminale të komunizmit në Mirditë. Barbaria e 17 Gushtit e organizatës terroriste komuniste e instaluar në shtet me armë, vazhdoi derë më derë në Mirditë. I ndau, i përqau, i varfëroi, ju shplau trurin deri në 90-ën.
Heroizimi i njërës palë dhe anatemimi i palës tjetër nuk i intereson askujt, përpos komunistëve. Në vend që të merren e diskutojnë se kush e perqau, kush e futi ne vëllavrasje, kush e coptoi, kush ja shkatërroi historinë e saj të lavdishme, merren me mitizime të rreme, me armiqësi e tradhëti të rreme.
Mirditasi, nga natyra është krenar, e nuk ka kënd mbi veten, përveç Zotit.
Si përfundim, unë i përmbahem nevojës që ka Mirdita për të vërtetën, edhe për periudhën 1945-1953, pa mashtrime, pa heronj të rremë, pa ndarje, pa urrejtje.
Nga e vërteta buron falja dhe paqja.
Vrasja e Bardhok Bibës është njëra prej ngjarjeve që duhet ndriquar, pa errësuar askënd mirditas, sepse ishte pjesë e luftës civile ku e futi komunizmi Mirditën e Shqipërinë. »
Nga: Av. Ndre Molla
7 Gusht 2020
MEDIA INDEPENDENT
[…] Burimi nga Media independent FR […]
J’aimeJ’aime