
Kur flet për vendin ku ke le, ka një ndjesi të jashtëzakonshme. Njëlloj sikur flet për lulet, flladin, gjethet, ujin, zogjt, tokën, lërimin, farën, vezët, qingjat, pjellorinë, gurin, lisin, pragun, mullirin, dritën, ditën, fëmijët, nënat, heronjt, dashurinë. Atdheu është jetë që vazhdon. Nuk ndalon kurrë.
Pranvera, gjithashtu të krijon ndjesi të jashtëzakonshme për jetën. Lulet e manushaqeve, sythet e pemëve, çelja e tyre, cicërimet e zogjve e cerdhet e dallëndysheve janë lindje, janë rilindje, janë shpërthim i të resë, fluturakes. Eshtë ngjizje periodike e mrekullueshme e jetës. Pranvera është kulmi i besimit dhe optimizmit njerzor për jetën. Ndaj kur flas për vendin tim, flas për veten time në kohë dhe hapsire. Sepse ashti im është toka ime në përjetësi.
Pranvera që sapo kemi kaluar, ka qënë më e vështira për ne, për ju, për ata, për të gjithë njerëzimi sëbashku. Të burgosesh ne pranverë, të mos shijosh shpërthimin e jetës, lulëzimin e saj, ajrin e pastër, ngjyrat e mrekullueshme, është ndëshkim i frikshëm. Nuk e di a e kemi merituar. Akoma nuk e dimë nga na erdhi. Ndoshta njeriu na e shkaktoj, e këtu them se e kemi merituar plotësisht, se nuk kemi mundur të kontrollojmë badakçinjt tanë të përbashkët. Ndoshta natyra ka ligjësitë e veta ciklike, e këtu mbetet ti bindemi plotësisht. Sepse, ne njerëzit jemi armiqtë më të mëdhenj të saj. Bota për pak nuk kaloj “arrest kardiak”. Për një javë, fuqitë më të mëdha të globit, njerëzit më të ditur, më të fuqishëm te botës, gjeneralët më strategë të kombeve, u dorëzuan, u kyqën nëpër shtëpitë e tyre, si pula, të frikësuar nga armiku “i padukshëm” COVID-19. Një drithërimë e përshkoi gjithë njerëzimin. Nuk u hyri në pune paraja, nuk po i mbronte asnjë lloj arme, sado e sofistikuar. Frika akoma nuk e ka lëshuar botën. Duket sikur jemi në fazën e parë të gjykimit natyror, ose të vetvrasjes.
Pesimistët panë me sytë e tyre fundin. Realistët u friksuan dhe optimistët bënin sikur nuk kuptonin. Por askush nuk kishte lidhje me normalen. Mbretërit, Presidentët e Kryeminstrat gabuan, shkencëtarët gabuan, mjekët gabuan, vetëm tregtarët fituan, fitoi pangopësia . Po shesin medikamente, mjete mbrojtëse, e lajme me vaksina si kurr më parë. Po pastrojnë magazinat nga ushqimet e skaduara, sepse ligësia me e madhe duket në raste të tilla.
Kina, prej nga erdhi e keqja, kriminalisht nuk e njoftoi njerzimin për kanosjen serioze të jetës në tokë, prej një virusi laboratorik a natyror, por që i kishte shpërthyer në vathin e vet. Tash, po tenton të shfrytëzoje gjendjen e pandemisë për të përfituar terren në tregjet botërore, jo vetëm me maska, por me tregti të gjithfarëllojshme, pa dhënë asnjë llogari botës për bombën shëndetësore që i shpërthej në dorë, me pasoja katastrofike për jetën dhe ekonominë globale. Madje, edhe shteti ynë i kinezërive, në një flet-palosje këshillash maoceduniste, për tu mbrojtur nga coronavirusi, këshillonte shqiptarët: “lani duart”, “mos kruani hunden”, “ruani distancimin fizik”… “mallërat që vijnë nga Kina nuk janë të rrezikshme”.!!! Shërbim të tillë zor se e bën kush për Kinën, as vetë Kina. Po nejse. Të dalim te tema kryesore:
E para: Patriotizmi i Trump…dhe globalistet:
Trump, Presidenti karizmatik e konservator, po sulmohet prej globalistëve, prej majtistëve amerikanë dhe jo vetëm, se e tregoi me gisht Kinën, se e tregoi me gisht OBSH-në, se ka prerë kanalet e oligarkëve botëror për të lozur me botën për xhepat e tyre. Kësaj mynxyre globale majtiste i ka vënë përballë, liritë ekonomike dhe parimet e reciprocitetit politik e ekonomik. Patriotizmi dhe kombëtarizmi si filozofi të hedhura prej tij, duhet të përqafohen nga cilido komb. Nuk mund të bëhet bota më e mirë për pa u bërë të gjitha pjesët e saj të tilla. Thirrjet e tij për udhëheqësit e vendeve të tjera, « kthehuni nga zgjidhja e problemeve të brendëshme », « mendoni për vendet dhe kombet tuaja », sepse nëse zgjidhen problemet e brendëshme, bashkarisht zgjidhim edhe problemet globale, për mendimin tim, është një filozofi që duhet të përqafohet, më shumë se nga kushdo, nga ne shqiptarët. Ai kërkon të kthej botën nga trualli dhe kombi, ku veç e veç e të gjithë sëbashku të prosperojmë drejt një marrdhënje ndërkombëtare më të drejtë, më humane. Mesazhi i Trump për botën mund të konsiderohet si eksportim dinjiteti kombëtar, si mënyrë zgjidhje për të përballuar rreziqet që po i kanosen.
“Pas Covid-19 bota do të jetë ndryshe”. Kështu është thënë ka 6 muaj, që nga Amerika e deri në Zelandën e Re, që nga Japonia e deri në Argjentinë. Po si ndryshe? Cfarë nuk do të jetë si më parë? Si do të bëhet ndryshe? Kush do ta bëj ndryshe? Për ne shqiptarët, cfarë pritet të jetë ndryshe? Sa kemi ne në dorë ti pergjigjemi “ndryshimit” që pret botën?
Në këtë shkrim, që jo pa qëllim e nisa me pranverën e lodhur 2019, mendoj se ka rëndësi trajtimi i “Patriotizmit dhe globalizmit”
(internacionalizmin komunist të ”proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni” e kanë zëvendësuar me globalizmin) për ne shqiptarët, duke përcaktuar rrugën më të drejtë dhe më të nevojshme në dekadat që vijnë.
Nuk e kam aspak qëllim të bëj moral, por unë e kuptoj kështu patriotizmin kombëtar trumpist:
Patriotizmi është dashuria e vërtetë për kombin. Patriotizmi nuk është kurr arrogancë kombëtare. Por është mjeti që të mbron nga arroganca kombëtare e të tjerëve. Ne shqiptarët, që në gjenezë, nuk kemi patur kurr arrogancë të natyrës kombëtare ndaj askujt. Ndërkohë që kemi vuajtur tmerrsisht nga arroganca kombëtare deri në rraciste e të tjerëve perrreth.
Nevojën për një sjellje patriotike ndaj vendit të tij e ka kuptuar i pari Donalt Trump, ky udhëheqës vizionar e antikomunist i bindur. Bota nuk mund të funksionojë më, si ajo familja e madhe, që disa punojnë e coptohen, e disa “dredhin zingjirin”. Thonë se puna na bëri njerëz, sigurisht për shkak të nevojës. Dhe puna e gjithsecilit për kombin e vet është celësi i filozofisë së re të Presidentit Trump. Është plotësisht në vazhdën e mesazheve të themeluesve të Amerikës. Ai, brenda 4 vjetësh ktheu Amerikën në punë. U kërkoj partnerëve strategjik dhe vendeve mike, të kontribojnë më shumë për vendet e tyre dhe për sigurinë globale. Madje edhe anëtarëve të Organizatës më të fuqishme të globit NATO, të krijuar prej vetë Amerikanëve, u kerkoj të zgjohen, të kontribojn për sigurinë e përbashkët. Dmth, secili duhet të kontriboj për sigurinë. Punoni e zhvillojini vendet tuaja, jini patriotë e kombëtarë për vendet tuaja dhe bashkarisht jemi më të fortë!-është thelbi i filozofisë së re Trump-iste. Mesazh më të qartë nuk mund të ketë.
Në fakt, filozofia e Donalt Trump është e vjetër, konservatore, që në fillimet e organizimeve të shoqërisë me shtete. Shkërmoqja e pranverës së sivjetshme (me gjasë edhe pranvera e radhës), nga sëmundja e përbotëshme Covid-19 dhe pasiguria e të gjithëve në lidhje me shkallën e rrezikut, tregoi se globalizmi nuk funksionon si filozofi e zhvillimit botëror. Kombet dhe qeveritë e tyre duhet të dalin nga shtrati i paaftesisë, korrupsionit e padrejtësisë. E kjo arrihet me patriotizëm. Patriotizmi Trump-ist është patriotizëm që buron nga Kushtetuta e kombit të tij. Edhe studentëve që marrin shtetësine amerikane ju kërkohet të betohen “për besnikëri ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Nuk është një formulë betimi formal kurrsesi. Është krijimi i një ndërgjegje patriotike ndaj vendit ku kanë kërkuar të ndërtojnë jetën me dinjitet.
Unë uroj që Presidenti Donalt Trump, si presidenti “më katastrof i njerzimit”, siq e pat quajtur kryeministri keqbërës i Shqipërisë, e antiTrump Rama, të fitoj në zgjedhjet e 3 Nëntorit 2020. Të fitojë mbi oligarkinë globaliste majtiste të Amerikës, të fitojë mbi oligarkin globaliste të botës. Patriotizmi që po rikthen Presidenti Donalt Trump do të thotë më shumë “ndjenjë kombëtare” për secilin vend, më shumë “krenari kombëtare” për secilin vend. Vetëm duke qënë patriot identifikohesh për mirë në vendin tënd. Ai që është patriot i vendit vet, respekton edhe patriotizmin e tjetrit. Lufta e amerikanëve për pavarësi në 1776-en ishte luftë patriotike, dashuri për vendin, kurrsesi nacionalizëm. Po kështu edhe “Revolucioni francez” etj. Janë nevoja patriotike thirrjet “blej british”, “blej frëngjisht”, “blej gjermanisht” pas Luftës së Dytë Botërore e deri te shqiptarët e Kosovës “blej shqip”. Patriot është ai që punon në të mirë të vendit të tij, pa dëmtuar vendet e tjera. As patriotizmi kombëtar nuk është nacionalizëm, as nacionalizmi nuk mund të jetë gjithnjë patriotizëm. Pavarësisht se vijnë si nevojë në rrethana e kohë të ndryshme të gjendjes së një kombi. Ne, për shkak të historisë tonë, kemi pas nevojë për të dyja, por që asnjërin nuk e kemi bërë mirë.
E dyta: Shqiptarët… çfarë i pret…
Historia jonë, që nga lashtësia e deri sot, është sa e lavdishme aq edhe e dhimbshme. Sa e sa qëndresa, sa e sa dështime, sa e sa varre heronjsh, sa e sa varre tradhëtarësh, sa e sa miq shtirakë e sa miq të vërtetë, sa e sa armiq, që vetë i kemi kthyer në miq, kemi kaluar në këto 6 shekuj mbijetese ne shqiptarët, pasardhësit iliro-arbnor, themeluesit e qytetërimit mbi tokë, përqafuesit ndër të parët mbi Dhè të kristianizmit.
Nuk po shtyhemi gjatë në histori për cfarë i ka ngjarë kombit shqiptar në kohët romake e deri ne mesin e shekullit XIV-të. Por prej 1389-ës e deri sot, jeta jonë ka ecur nëpër heronj e tradhëtar, fitore e humbje, kujtese e harrese.
E bëmë ne shqiptarët luftën në Fushë-Kosovë, se nuk mund të ishte ndryshe, për sa kohë zhvillohej në trojet tona, e serbët që na ndihmuan e përkujtojnë me krenari. Gjakun e rënë për lirinë e Kosovës kundër pushtimit osman e kemi tradhëtuar ne, pasardhësit e dyshimtë të heronjve të asaj beteje. A ka paradoks më të madh se sa kujtimin e gjakut të derdhur të shqiptarëve për mbrojtjen e trojeve të tij, ta përkujtojnë serbët? A ka më turp se të dëgjojmë nëpër klerik anadollakë të blerë e të shitur të Kosovës dhe jo vetëm, që mbrojnë tezën serbe të kësaj beteje?
E vonuam vetë në fund të shekullit XIX, shkëputjen nga perandoria pushtuese, se ishim të dyzuar, dhe kishim shitur shpirtin. Shpirti kombëtar na kishte rënë nga zemra te stomaku. Edhe sot ka në Kosovë, Maqedonin e Veriut e në Shqipëri tradhëtar, që fenë e kthejnë në shërbim ndaj pushtuesit osman. Kurrgja nuk i lidh me besimin në Zot. Asgjë nuk mendojnë fetarisht. Thjeshtë ushqejnë mendjet e pazhvilluara të popullatës me dashuri për pushtuesin e urrejtje për heronjt që derdhën gjakun në mbrojtje të kësaj toke.
Dyzimet tona, më shumë se armiqtë, n kapërcyllet epokale kombëtare na kanë vonuar apo penguar. Edhe me 28 Nentor 1912, u desh grushti në tavolinë i Dom Nikoll Kaçorrit të këmbëngulte: “në çoft për nesër, të vdesim sot”.
Fill pas pavarsisë, këta, tradhëtarët ngritën urdinë e “dumbabistëve” kundër pavarsisë, “nuk duam të jemi të lirë nga Turqia”, që shënon edhe rast unikal turpi kombëtar. E badakcinjtë haxhiqamilistë e quajnë lëvizje përparimtare!!!
Ky komb, sot më shumë se kurrë, ka nevojë për patriotizm e për prijës patriotë. Unë mendoj se kombi shqiptar ka patriotë, është shoqëri patriotike, pavarsisht nga lufta e tmerrshme që i është bërë sistematikisht për ta çveshur prej kësaj ndjenje ekzistenciale.
Sepse, patriotizmi nuk lind nga hiqi. Ai lind bashkë me lindjen njerzore. Problemi është se kur dhe si i jep jetë. “Atdheu është toka ku më ka rënë koka”. Kontrata e patriotizmit lidhet heret, që në krye të herës, që ditën kur ke thithur ajrin, e prekur dheun e tokës tënde. E thamë se patriotizmi është dashuri për atdheun. E kjo dashuri jepet natyrshëm, pa kushte. “Të dua dhe kështu si je, por kur të të shoh të lirë do të dua dhe më mirë”. Patriotizmi është simbioza e njeriut me tokën e vet. Është qenja vetë, dinjiteti yt. Nuk ka nevojë për këngë, ka nevojë për veprime. Aty ku mungon i këndohet. Vetëm një të keqe ka patriotizmi, nuk është diçka materiale, fort problem për ne shqiptarët. Mbase problemi themelor.
Për këto arsye, për fatin e këtij kombi, patriotizmi i inteligjencës shqiptare u vu në ballë të betejës së ringjalljes në fillim të Shekullit XX, e cila ishte periudha kur patriotizmi e nacionalizmi shqiptar në mendjen e punën e Burrave të Ndritur të Kombit, e mori emrin kuptimplote Rilindja Kombëtare. Rilindën atë që koha e pushtimit otoman e kishtë bjerrë deri në kufinjt ekzistencial. Gjendja ishte alarmante. Me ndikimin e shteteve fqinje grabitqare, në Jug, Veri e Lindje, trojet shqiptare u coptuan. Për një komb që ka vënë në diskutim ndërgjegjen dhe krenarinë kombëtare, patriotizmi domosdo duhej të kthehej në ushqim për zgjim kombëtar. Sepse “patriot-thotë ishpresidenti federal gjerman John Rau, është dikush qe e don vendin e tij”. Ja si u drejtohet me i madhi prej arkitektëve të rithemelimit të Ndërgjegjes Kombëtare At Gjergj Fishta, parisë qeverisëse të kohës:
“Ju rrugaça sallahana
vagabanda shakllabana
rriçna t’ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjeres moj Shqipni
kthellë hi i keni në mushkni
pa dhimtë gjakun tuj ia pi
po der kur bre badakçi!
…………………………………..
Ani kush pra me i pri kombit
Ju do pyka bij prej llomit
Qi “shqiptar” vedit i thoni
Jo pse ju Shqipnine e doni
Jo se ju noj send kuptoni
Shka asht Atdheu e shka asht Liria…”
Por prap ky Vigan i Ideologjisë Kombëtare Shqiptare, gjen forca, gjen shpresë, e mbjellë atë furishëm, në çdo zemër shqiptari patriot, zgjon ndjenjën kombëtare dhe i fton për qëndresë:
“Ndihmo Zot si m’ke ndimue
Pesqind vjet kishin kalue
Që se t’buk’ren ket Shqipni
Turku e mbate ne robni…”
……………………………………..
M’kambë Shqiptarët atëhere janë que
Sa mirë në armë na janë shtërngue
T’fortë kanë lidh nji besë të Zotit
Si të parët ua lidhshin motit
N’ato kohë t’Gjergj Kastriotit
…………………………………………….
“Ma mirë me dekë
Nën dhe mu kja
Se për t’gjallë
me mbetë nën shkja”
Fishta dhe rilindasit e tjerë ngritën në majat ma të nalta heroizmin e shqiptarve “për liri e troje t’veta”.
Semundja e kahershme e shqiptarve, lufta per pushtet, ngadalesoi zhvillimin kombëtar nën mbretni. Megjithatë, nën Mbretni ishte përpjekja e parë serioze dhe e suksesshme e shtetndërtimit.
Pas pushtimit fashist dhe fitores së Aleatëve, për ne shqiptarët nuk ndryshoi asgjë. Përkundrazi. Prap në trojet shqiptare vjen mortaja komuniste, që la pa varr Ideologun e Ndergjegjes Kombëtare shqiptare At Gjergj Fishtën. Vrau ajkën e inteligjencës shqiptare, shkatërroi besimin në Zot, kisha e xhamia, vrau e zhduku priftërinjt katolik, mendjen e kombit, vrau e zhduku klerikët patriotë të fesë myslimane, bektashie, shkatërroi autoqefalinë shqiptare. Përsëri, ne shqiptarët mbështetëm një monstër të tillë, pa fe e pa atdhe, që tradhetoi Kosovën martire, heroinën e Betejës së 1389-ës të vjedhur prej serbëve e të luftrave për liri në shekuj.
Ja se si tradhëtari i kombi Enver Hoxha i shkruante 72 vjet më parë Marshallit Tito (1948):
“Populli ynë është kaq i lidhur shpirtërisht dhe ekonomikisht me popujt e Jugosllavisë sa asnjë popull tjetër dhe ky bashkim s’ka asgjë formale, por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë. Ne duhët të punojmë konkretisht për federatën (jugosllave) dhe për këtë gjë në vendin tonë punohet me të gjitha forcat, por çeshtja është që ne duhet të marrim inisiativën e para për të kërkuar këtë gjë.!!!…Ne kemi nevojë të na thuhet nga ju nëse ka ardhur momenti kur ne duhet të marrim në shqyrtim ceshtjen e bashkimit (me Jugosllavinë) e të mbërrijmë në konkluzione, e nga ana tjetër, do të dëshironim të na jepeshin dhe sqarime më plotësuese që ju i shihni të arsyeshme në lidhje me faktorë të tjerë të këtij problemi. Ne kemi bindjen se si kurdoherë Komiteti Central i Jugosllavisë do të na sqaroje dhe do të na këshilloje …”
Këto radhë janë të “udhëheqësit “ të luftës “për liri” Enver Hoxha dhe që jo pak shqiptarë krenohen me të.!!!. Gjenden në AQSH Fondi 14/AP Dosja 4, 1948.
Në vend që të kërkonte Kosovën si pjesë të territorit shqiptar, ky sharlatan komunisto-sllavo-turkoshak, kërkon ta jepte gjithë Shqiperinë. E në vend që të merrte ndëshkimin e merituar ai dhe shpura e tij antikombëtare, rishkatërrues të ndërgjegjes kombëtare, na ka lënë nëpër këmbë tash 30 vjet këlyshët e tij, që nga Akademia e Shkencave deri në Parlamentin e Shqipërisë e qeverira. Fara e mbjellur prej sllavëve në 1941-in vështirë se del fare për një kohë të gjatë, për sa kohë nuk do ta mësojnë nëpër shkolla fëmijët “Lahutën e Malcise”, në mënyrë që brezat e ardhshëm të nxjerrin patriotë të vërtetë në krye të punëve të vendit.
Kaluan plot 30 vjet demokraci, e bash me duart tona e kemi penguar zhvillimin, të ardhmen europiane. Ne i ngritëm piramidat, ne e dogjëm shtetin, ne e tradhëtuam Kosovën. Armiqtë fërkuan duart. A ju kujtohen tre gishtat në mitingun e Vlorës së Flamurit në 97-ën? Vetëm një punë e hajrit për Kombin është bërë për 30 vjet, “Rruga e Kombit”. Cfarë tjetër bëmë? Gradacelat e hajnave në Tiranë? Vilat e të korruptuarve nëpër bregdetin shqiptar? Apo ndërtuam demokracinë si kjo e 30 Qërshorit 2019?!!!
A ka ma zi, se vetë Presidenti i Kosovës dhe Kryeministri i Shqipërisë, në sinkron me Presidentin e Serbisë, të jenë për shkëmbimin e territoreve shqiptare për paqe me Serbinë? Cfarë dreqin është tradhëtia, nëse kjo nuk është?!!!
Filozofia e Presidentit Trump për patriotizm amerikan, por drejtuar edhe udhëheqësve të vendeve të tjera, me “duajeni vendin tuaj!” “shërbeni vendit tuaj!”, është mesazh që duhet të kthehet në një nismë për Program të Përbashkët Kombëtar për shqiptarët në Ballkan. Jo programe “mbledhjesh të përbashkëta” thika pas shpine, por për strategji me platformë të qartë afatmesme e afatgjata të Zhvillimit e të Bashkimit Kombëtar.
Sepse, sipas bindjes time, globalizmi është armiku më i madh i kombeve të vegjël, të kulturave e historisë së tyre. Për pasojë, edhe politikat që e mbështesin janë të rrezikshme për shqiptarët, siq rezultuan në fillim të viteve 40 të shekullit të kaluar kur globalizmi në formën e internacionalizmit proletar, i shkaktoi kombit shqiptar gjëmën më të madhe pas pushtimit 500 vjeqar osman dhe ndarjen e Kosovës me Shqipërinë.
E treta: e vërteta…
E kjo kërkon që intelektualët, historianë, shkrimtarë, politikanë, shkencëftarë (pa akademitë) të mblidhen e të përgatisin një platformë kombëtare, (siq ,bëjnë kombet e tjera) me synim përcaktimin e rrugës së drejtë për Kombin Shqiptar, platformë e cila të shërbej për të shkëputur përfundimisht nga ndikimet turko-sllavo-greke shtetin dhe shoqërinë shqiptare.
Sepse, sharlatanë turkoshakë, si puna e Nexhmedin Spahiut, do vijoj të ketë në trojet shqiptare këndej e andej. Se cfarë janë, nga vijnë, nga kush paguhen, nuk don shumë mend me e ditur. Por se me idetë e tyre të “kombit kosovar”, i bëjnë gjëmën interesave strategjike të afërta e të largëta për Bashkimin Kombëtar, kjo dihet. Tradhëtisht proklamon ky sharlatan se 108 njohjet e Kosovës janë njohje të “kombit kosovar”, kur sipas të drejtës ndërkombëtare, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara bëhet njohja e shteteve dhe jo njohja e kombeve. Pavarësisht se Lidhja e Kombeve akoma ka kuptimin leninisto-stalinist të shteteve që në themelim. Për këta tradhëtar shqipfolës Pavarsia e Kosovës, ndërtimi i shtetit të Kosovës ka krijuar “kombin kosovar”. A ka përqarje më të madhe? Sot për sot, teoria multietnike që ka mbërthyer Kosovën për shkak të rrethanave të pavarësimit të saj, po davaritet prej sharlatanëve pseudoshqiptarë, se edhe Shqipëria po ecën drejt shtetit multietnik. Nëse e kanë të gjatë horrat që e drejtojnë sot, premisat janë. Kthimi i tokave shqiptare në Ballkan, si shkarko etno-religjiozo-politike paraqet rrezikun më të madh për kombin tonë. Politika shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut duhet të punoje fort që të mos lejojnë të përsëriten mbi popullin shqiptarë, fushatat moderne të spastrimit apo të përzierjes së qëllimtë etnike. Kaq tokë sa na ka fal Zoti, me u bashkuar të gjithë nga e mbara e Zotit, e mbajmë, e zhvillojmë dhe e bëjmë parajsën e cdo shqiptari në glob.
Plagët tona kombëtare akoma rrjedhin gjak. Madje përditë i shkaktojmë plagë të reja. A nuk janë plagë toponomistika kombëtare e mbushur me gjuhësi pushtuesish dhe akademitë tona të shkencave heshtin? Nga kush presim të mbrojë shqipën tonë të vjetër e të bukur, gjuhën e gjuhëve të botës? A nuk është plagë dëmtimi i arkeologjisë kombëtare iliro-arbnore? A nuk është plagë turqizimi i gjuhës, kulturës, historisë, traditës? A nuk është plagë “pushtimi” i Jugut të Shqipërisë prej shovinizmave grek të “megalidhesë”? Cfarë janë varret e ushtarëve grek në trojet tona? Kujt i shërbejne ato? Po pllaka e ushtarëve të vrarë për pushtetin e Erdoganit ç’don në mes të Tiranës? Po kisha madhështore ortodokse, ku nuk ka asnjë ortodoks (siq është ajo e Lezhës) pse ndërtohen? Përse, pas 30 vjetësh liri fetare, përsëri na drejtojnë kishat tona priftërinj të huaj grek e italiane?
Këto janë pyetje që duan zgjidhje, nga ne shqiptarët. Vetëm angazhimi i institucionalizuar patriotik kombëtar i mendjes së kombit mund të na shpëtoje nga rreziku i globalizmit. Donald Trup thotë se Amerika ka nevojë për patriotizëm.
PO NE?
Duhet ta bëjmë sot, që të mos bëjnë të tjerët atë që kanë bërë historikisht.
Sepse një gjë është e sigurtë, ne rrugtimin tonë të historisë, as nuk ka patur, as nuk ka e nuk do të ketë vend bosh në orientim. Ose do ti prijnë patriotët kombëtarisht, o tradhëtarët internacionalisht.
“Bota ndryshe” do ti bëjë disa herë më të veshtira realizimin e interesave kombëtare shqiptare, nëse vonohemi e nuk mblidhemi për një Beslidhje të Re Kombëtare, si dikur me 2 Mars 1444, si me 28 Nëntor 1912, si në Manastir, si në 8 Dhjetor 1990, si në 1998-1999, si në Kumanovë, për ti dal Zot trojeve tona. Kombi ynë iliro-arbnor është në rrezik, ndoshta më shumë se kurr pas pushtimit turk të pas 1468-ës. Globalistët dhe nacionalshovinizmi përreth janë rreziku ma i madh për ne. Vendi ka nevojë për patriotë më shumë se për diell e uji. Unë uroj që me 3 Nëntor 2020 të fitojë patriotizmi i Donald Trump përkundër globalizmit sorosian. Sepse jam patriot për kombin tim kaq sa mundem.
V.O. mundet ta shpërndani.
Nga: Av. Ndre Molla
19 Korrik 2020
MEDIA INDEPENDENT