
SHQIPJA SI SIMBOL METAFORË DHE REALITET.
(Për Zef Përgegën dhe Librin e tij të fundit SHQIPJA SI SIMBOL. “Shqiponjat fluturojnë larg”)
Ded Shkurti
“Melodinë më të bukur në botë e kompozojnë telat e zemrës. Kjo bukuri e mahnitshme e një zemre prek dhe ndez në kërshëri entuziazmin e disa zemrave të tjera dhe kështu notat e telave të shpirtit shpërndahen si orizi i nuseve në zëra të tjerë që, së bashku, përbëjnë kurorën e bekuar të mesazhit plot dritë e shpresë për të ardhmen”. Kështu e fillon njërin nga Kapitujt e këtij libri autori i mirënjohur Zef Përgega. Ai ka plotësisht të drejtë. Një produkt shpirtëror, i formëzuar në një libër, aq më shumë, kur rrok një tematikë të sferës shpirtërore, bile të thelbit të tij që është feja dhe besimi, nuk ka kuptim nuk ka peshë, nuk ka mesazh të plotë, sado racionale dhe e thellë të jetë mendja, sado i madh të jetë vullneti, sado e shtrirë të jetë përvoja, sado të ndërkryer të jenë faktorët bashkëpunues. Ajo që i jep lëngun jetësor, gjakun dhe limfën është zemra e krijuesit.Nuk është e papritur kjo prurje e fundit e Zef Përgegës, jo vetëm se kartela bibliografike e këti autori tashmë shënon numërin njëzetenjë, të shkruar në një hark kohor pesëmbëdhjetë vjecar, më shumë se një titull në vit, nga një autor që fati, jo fort i mbarë, e ka sjellë t’mos ta sigurojë bukën e përditshme, me librin, dhe shkrimin, për të cilin ka patur dhuntinë dhe marrë edukimin, por me muskujt dhe duartë e tij. Befasia e bukur, mbresëlënnëse , qëndron në faktin se Të Shkruarit, është njëri nga atomet e Oksigjenit, e me sa duket, është kusht i egzistencës së tij. Libri, “Shqiponjat fluturojnë lart”, pasqyron, sic thuhet me termat e Teknologjisë së Lartë, në 4 G, ngjarjen më të rëndësishme të vitit 2014 në Shqipëri, Vizitën Apostolike të Papa Franceskut. Kjo fatlumni kombëtare iu shndërrua autorit në një fatlumni personale sepse pas afro shtatëmbëdhjetë vitesh e solli në “Dheun e Atit”, sic e ka titulluar vetë Ai librin e parë poetik, por që përpak desh iu shndërrua në, “Tokë të Mohuar”, për absurditetin, logjikën e mbrapshtë, konfuzionin, dhe anarkinë sociale e shtetërore që e ka shoqëruar historikisht udhëtimin qytetërimor të Shqipërisë sonë. Zef Përgega, ky gazetar porfesionist, i Agjensisë zyrtare të Lajmeve shqiptare, gjeti strehë në Shtetet e Bashkuara, si Emigrant Politik. Ai, përkatësisht, shtatëdhjetë vite dhe pesëdhjetë vite, më vonë se Fan Noli dhe Zef Oroshi u detyrua të ndjekë fatin e tyre që ka përbërë një precedent për kohën dhe kontekstin kur Amerika e madhe ia dha atë.Libri është komplementar. Ai i kalon shumëfish kufijtë e një kronike të një vizite Apostolike dhe protokollare të Udhëheqësit të më shumë se një të shtatës së Botës, të Shëmbëlltyrës së Krishtit në Tokë. Libri, po aq sa pasqyron me besnikëri, përkushtimin dhe seriozitetin e një Shteti, në përgatitjen dhe suksesin spektakolar dhe jehonëbërës të kësaj vizite, depërton thellë në vetëdijen e qytetarëve të thjeshtë, në mjedisin shqiptar, të pa dallim besimi, se cfarë ndienin dhe si e përjetonin ata qenien midis tyre të Papa Franceskut, por sjell të koncentruara historinë dhe kalvarin e religjioneve në Shqipëri, misionarët dhe Martirët e Kishës shqiptare. Nuk ka qenë e thjeshtë një sipërmarrje e tillë.Suksesin nga dështimin e ndajnë mikrodistanca. Është e mundimshme intelektualisht dhe shpirtërisht t’i ndërfusësh dhe përkëmbesh në një të tërë, kronikën e castit, mesazhin hyjnor, praktikën e vonë të ringjalljes së besimit dhe institucioneve religjioze, historinë tragjike të misioneve fetare në vendin tonë, raportet e shtetit me fenë dhe të vecantën e atë që na bën krenarë në botë, ndoshta e vetmja krenari e përligjur e jona; Harmonia Ndërfetare! Kam shquar katër cilësi të autorit që e kanë garantuar, si dhe për librat paraardhës, suksesin e këtij libri. Po i marr nga fundi dhe, jo në rendin e drejtë. E katërta: Zefit i ka ndodhur si astronautëve të parë që shkelën në Hënë; nga orbita hënore Toka dukej një Yll spektakolar. Nga largësia prej mijëra miljesh nga Detroiti i Michigan-it,ku jeton aktualisht, Shqipëria ndrit fort, shkëlqen.Kush e ka provuar largesën, edhe të përkohëshme, e ka venë re këtë dukuri. Shqipëria e nxirë dhe e baltosur, e shkarravitur dhe shpesh e përcudnuar prenj bijëve të vet ku, në të shumtën e herës ta plas shpirtin dhe kjo i ka ndodhur pikërisht autorit, rrezëllit më ngjyrat më hyjnore. E kam përjetuar së bashku më autorin këtë ndjesi të pashqitëshme nga kujtesa dhe shpirti: punonim në në punët e rëndomta që i bën cdo emigrant i cdo kombëise në Amerikë. Duartë lëviznin automatikisht por biseda me zë të ulët mids nesh dhe mendimi ynë kishte fluturuar në viset shqiptare, në Basanien e tij, në Oroshin , Mirditën, Lezhën dhe Tiranën tonë.Kur Ora e madhe e New York-ut fillonte numërimin së prapthi, dhjetë, nëntë,.. .., në ndërrimin e viteve të dy , pa iu fshehur njëri-tjetrit, fshiheshim pas banaqeve dhe qanim me dënesë, duke mallkuar një fat dhe duke lutur e besuar në Zot për t’u kthyer edhe njëherë tek djepi ynë me emrin e bekuar, Shqipëri! Pikërisht nga këtu, nga kjo dukuri, “anija kozmike’ e krijimit të Zef Përgegës e ka marrë “karburantin” për të hyrë në orbitën e planetit-libër që po e krijonte me meteoritët dhe kometat e shpërndara në të ashtuquajturën “galaktika shqiptare”.E treta: Zefi është Gazetar profesionist dhe shkrimtar i maturuar. Ai ka një përvojë të gjatë, mbi dyzet vjecare, jetësore e krijimtarie, në dy sisteme e në dy Hemisfera. Është një njohës shumë i mirë i jetës shqiptare, i historisë së Shqipërisë dhe, mbi të gjitha, i psikologjisë kolektive dhe individuale të shqiptarëve si qenje sociale. Ai, më mirë se shumica dërmuese e njerëzve të letrave, i njeh bashkëatdhetarët e tij në udhëtimin historik, në kërkim të lirisë e të pavarësisë, si paganë, si besimtarë e si ateistë, nën sundimin e një Diktature dhe nën efektin e një “lirie” pa caqe, në kërkim të lumturisë jashtë djepit të tyre dhe në zhgënjimet nga shkëlqimet e rreme të Perëndimit, në lutjet dhe thirrjet e Zotit fshehur ndën bataniet e leshta dhe qelitë e burgjeve dhe në puthjet e gurëve në kishën e Shna Ndojit dhe të Shën Eufemisë e deri të antifetarizmin ekstrem të Shtetit diktatorial, tek kllounatat dhe hipokrizitë butaforikë të Shtetarëve të sotëm që në cdo festë fetare, bëjnë sikur përgjërohen e bien në gjunjë, por besojnë dhe i luten Zotin vetëm kur e ndiejnë vetën ngushtë.E dyta:
Zefi është qytetar dhe katolik i vërtetë, jo thjeshtë nga rrjedha familjare e trevës nga vjen, por është praktikant që nga marrja e të gjitha sakramenteve, shkuarja në kishë në ditën e dielë, por edhe si pjesëmarrës aktiv në Këshilline Kishës së Shën Palit në Detroit, një nga kishat më të mëdha shqiptare në Botë. Ai i ka “përpirë” biblotekat duke gjurmuar shkrimet që nga udhëtimet në Ilirik të Shën Palit Apostull e deri tek shërbimet e Abati Docit në Australi e Kanada si dhe të Monsinjor Zef Oroshit nga meshat e improvizuara në shpatet e Molungut e deri ne avenjutë e New York-ut. Autorin e kanë stigmatizuar si “prift i lajmit” sepse në “produktet “ e tij gazetareske në A T SH, mbizotëronte fryma, dimensioni, shpirti , dashuria dhe vërtetësia e një të krishteri të devotshëm, përkundër harbutërisë, fshehjes së të vërtetave, bërjes “palë”, lajkave pushtetare, tjetërsimit të lajmit nga kolegët dhe shefat e vet. Libri i tij më i hershëm, “Vigan në Krisht e Vatan”- monografia e Zef Oroshit është nje kurorë lari në grumbullin e librave të këtij zhanri dhe Manifest Dashurie për Zotin, njeriun dhe Atdheun.E para:Zef Përgega është gazetar, publicist dhe shkrimtar me talent dhe vullnet jo të zakontë.Falë karakterit dhe vullnetit, vendi do të kishte pasur një mekanik të zotin se kështu qe edukimi i tij fillestar në shkollën e mesme profesionale. Por falë Zotit, me dhuntinë e të shkruarit, Shqipëria përfitoi një Individualitet të spikatur si Njeri i Letrave. Talenti në të shkruar i ka ardhur Zefit si dhuratë e Zotit të cilin e adhuron diferencialisht nga ne të tjerët, dhe Zoti i ka dhënë njëkohësisht energjinë për të lëvizur për ta jetësuar talentin duke prekur me shisat e tij, realitetin dhe përvojat e shkruara dhe të jetuara. Zefi, në dobi dhe funsion të argumentave të veta artistike, historike, studimore; pasi e merr shtysën nga fabulat e jetës dhe aproksimacioni i ndodhisë, gjurmon efektet dhe pasojat që kanë lënë ato në jetën e përditshme të njerzve të thjeshtë.Ai ka intervistuar në Kanada një bashkëkohës të Prend Docit, që kishte qenë roje e kishës ku shërbente Doci si misionar, ka shkuar në San Marino, duke sjellë paralele interesante mes kësaj “republike” dhe Mirditës sonë, ka zhbiriluar raportet njerëzore, dhe ndërfetare të dy gjigandëve: Nolit dhe Zef Oroshit, orvatjet e tyre për Unifikimin e dy Kishave në Amerikë, ku vetëm burokracia e një Hierarku të Lartë në Vatikan e dështoi. Ai është një eksplorator gërmadhash ku fle historia dhe lavdia shqiptare.Libri që kemi në dorë, me titull domethënës, “Shqiponjat fluturojnë lart” është një libër shumë i dobishëm për ne si lexues.Në këtë libër do të gjejmë tajtesat më brilante, për dukuri, ngjarje, epoka dhe përsonazhe, fetare dhe jofetare. Shumica nga këto janë marrë si “blloqe” dhe janë përfshirë pa ua cënuar atenticitetin, magjinë dhe bukurinë e shkrimit dhe mesazht sic ka në shumicë reportazhe, përjetime, intervista ese dhe trajtesa të tjera si krijim i mirëfilltë i Zefit.Me një zotësi Mjeshtri i të shkruarit, në këtë libër nuk kontraston, “peri i tegelit” nga “copat” e kompozuara në këtë “pelerinë” libreske apostolike.
Ashtu si argjendari që kombinon ngjitjen e diamanteve me kolorite të ndryshme, ashtu i ka inkluduar, të shkruarat dhe të thënat nga të tjerët, me shkrimin dhe thënjet e veta.Fjalët më të mira për cilësinë e botimit të ketij libri i cili, perpara se të të japë shijen e mrekullueshme të leximit të jep kënaqësinë estetike të paraqitjes si grafikë dhe dizajn ku pa dyshim merita i takon burrit të nderuar, Spiro Dede.Në kuptimin e titullit të kësaj trajtese: të ispiruara nga thënia lapidaree Papës në sheshin, Nnënë Tereza”, duke aluduar për ne, shqiptarët se Shqipet flutorojnë lert dhe nuk e harrojnë folene, Zef Përgega është njëra nga këto shqipe që ka fluturuar larg dhe lart, pa e harruar dhe braktisur kurrë folenë e vet.
I uroj këtij bashkëmoshatari, shoku, kolegu dhe miku më të mirat e Zotit dhe vazhdimin parreshtur të botimeve të librave të tjerë, si e më të mirë se ky!
Nga: Dedë SHKURTI
Tiranë. 13.09.2015
Inxhinieri Ded Shkurti u lind me 2 Mars 1953 në Mirditë dhe ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë me 20 shkurt 2018 në Sassuolo, Itali.
MEDIA INDEPENDENT