
Ndahet nga jeta miku i madh i shqiptarëve francezi Dr. Patrice Najbor, ky lajm u dha nga faqja zyrtare e Partisë Lëvizja e Legalitetit, Francë:
« Me hidhërim të thellë njoftojmë se u nda nga jeta miku jonë i madh francezi Dr. Patrice Najbor.
I ndjeri Dr. Patrice Najbor ka qenë humanisti që ka ndihmuar popullin shqiptarë në vitet e para të demokracisë, mik i Familjes Mbretërore Shqiptare i cili ka mbrojtur të drejtat e Shqiptarëve në Europë, poashtu është vlerësuar dhe dekoruar për kontributin e tij nga Mbreti Leka Zogu-I.
Partia Lëvizja e Legalitetit, Francë i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes Najbor.
Shpirti i tij pushoftë në paqe« . shkruan faqja zyrtare e Partisë Lëvizaj e Legalitetit, Francë.
Dr. Patrice Najbor (29 shkurt 1964 – 5 maj 2020) ishte diplomuar në Institutin e Studimeve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (ILERI) të Parisit, titullar i një diplome të studimeve të larta të specializuara (DESS) të diplomacisë dhe administrimit të organizatave ndërkombëtare (Paris XI), doktor i shkencave politike, ka realizuar një teze mbi « Dykrenarja e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare bashkëkohore » (Paris XI – 1992) dhe shumë shkrime në kuadër të një diplome të studimeve të thelluara (DEA) të mbrojtjes dhe sigurimit europian (Lille II -1990) midis të cilëve « Sistemi dhe politika e sigurimit të Shqipërisë » dhe « Çështja shqiptare e Kosovës ».
Ai ishte autor edhe i « Dinastisë se Zogut » 2002.
Dr. Patrice Najbor shkruajti librin për historinë e Shqipërisë.
Në pesë vëllimet e librit të tij, “Historia e Shqipërisë dhe e Familjes së saj Mbretërore 1443-2007”, studiuesi francez Patrice Najbor ka shtruar shumë çështje të cilat më parë ose nuk janë hulumtuar ose janë keqinterpretuar. Kjo do të thotë se historia shqiptare ka filluar të rishikohet.
Pesë vëllimet e librit “Historia e Shqipërisë dhe e Familjes së saj Mbretërore 1443-2007” (Histoire de l’Albanie et de sa Maison Royale 1443-2007) , botuar në gjuhën frënge nga Dr Patrice Najbor, janë tashmë të përfunduar.
Në këto vëllime ai përpiqet të vendosë të vërtetën historike duke paraqitur me objektivitet, veçanërisht në saje të burimeve të jashtme, faktet dhe personat, të cilët nuk janë njohur deri tani nga historiografia shqiptare.
Libri i Dr. Patrice Najbor i cili është botuar në Francë , është i ndarë në pesë vëllime.
Në vëllimin e parë autori është përqendruar kryesisht në luftën për pavarësi që zë vendin kryesor dhe për këtë ai ka studiuar veprimet e Fuqive të Mëdha për të ruajtur ose zgjeruar sferat e tyre të influencës, si dhe rolin e tyre në zgjedhjen e princit Vilhelm ëied (1914). Po në këtë vëllim ai trajton edhe personazhin e Esat Pashë Toptanit, ku ndër të tjera shkruan: “Me shpalljen e Luftës se Parë Botërore, Esat Pasha u rreshtua menjëherë në anën e Aleatëve në krah te të cilëve ai luftoi dhe nga ana tjetër duke pranuar që ushtria serbe e dërmuar nga lufta të tërhiqej duke kaluar nëpër Shqipëri ai shpëtoi Frontin e lindjes si dhe vendosi Shqipërinë në kampin e fitimtarëve”.
Ai thotë se në mënyrë modeste është munduar të sjell një kontribut në rishikimin e historisë së Shqipërisë.
Në vëllimin e dytë të librit, autori paraqet periudhën e viteve njëzetë duke sjellë, sidomos, një vështrim të ri sa u përket figurave të Fan Nolit dhe Ahmet Zogut.
“Në kundërshtim me atë që për shumë kohë është folur, Fan Noli, ishte larg të qenurit demokrat meqenëse qeveria e tij bolshevike eci drejt diktaturës duke shpallur në të gjithë vendin gjendjen e shtetrrethimit, duke vendosur gjykatat e jashtëzakonshme dhe duke mos mbajtur premtimin e tij për të organizuar zgjedhjet”, shprehet, në një rast, ai.
Sipas Patric Najbor, studimi i periudhës zogiste tregon se mbreti Zog me realizimet e tij në fushat institucionale, legjislative, edukative, shëndetësore, ushtarake, diplomatike, ekonomike dhe në drejtim të zhvillimit të ndërtimit të rrugëve dhe të infrastrukturës së vendit ka vendosur bazat e një shteti modern, demokratik të tipit perëndimor dhe duke zëvendësuar të drejtën e forcës me forcën e të drejtës, ai paraqitet si njeriu më progresist i kohës. “‘Ataturku shqiptar’ i vërtetë shfuqizoi feudalizmin, dekretoi shtetin laik dhe kontribuoi në zhvillimin e ligjit për vendin e gruas në shoqërinë shqiptare”, ka shkruar Najbor, i cili është doktor i shkencave politike dhe studiues francez i historisë.
Në vëllimin e tretë Najbor përpiqet të tregojë udhëtimin e gjate e të vështirë të familjes mbretërore në mërgim dhe luftën e vazhdueshme të mbretit Leka I për çlirimin e Shqipërisë nga komunizmi dhe të Kosovës nga zgjedha Serbe.
Najbor na sjell për këtë problem në vëllimin e pestë edhe shumë dokumente, shpesh të panjohura, të veprimeve të ndryshme politike të mbretit Leka.
Në vëllimin e katërt Najbor tregon kthimin e familjes mbretërore në Shqipëri dhe rrethanat politike të viteve 2000 si në Shqipëri ashtu edhe në rajon.
Ndërsa, Vëllimi i pestë i këtij libri përmban dokumente të arkivave, të traktateve ndërkombëtare dhe të marrëveshjeve sekrete, të letrave dhe pemëve gjenealogjike. Duke botuar këto tekste origjinale në tërësinë e tyre, Najbor tregon më shumë se përmendjen e thjeshtë të tyre, me qellim që lexuesi të ketë mundësi vetë të shprehë mendimin e tij mbi faktet e treguara. Libri përfundon me një bibliografi të pasur të veprave të shekullit të XV-të e deri në ditët tona.
Nga: Leon Molla
MEDIA INDEPENDENT