
Djali i Pjetër Kadelit, Gjetë Kadeli në rastin e 10 vjetorit të vdekjes së babait të tij , duke marrë edhe shkas nga dalja e publikimit të disa emrave që kanë qenë spiunë të regjimit komunist nga viti 1944 deri në vitin 1951 nga gazetari Leon Molla i cili i ka lexuar publikisht nga letra origjinale e Pjetër Kadelit që ja ka dëguar një kopje nga Amerika në Itali edhe Kapedanit të Mirditës Gjon Marka Gjonit.
Ky postim ka patur reagime të forta, deri dhe raportimet që është bërë e mundur të bllokojnë videon nga interneti.
I biri i tij i ka nisur gazetarit Molla një letër të cilën Media Independent po e publikon sipas origjinalit.

Po publikoi këtë informacion të shkurtër, nga lindja deri në vdekje për babën tem Pjetër Kadeli.
Lindi me datën 04/06/1915, në katundin Bulshar të Oroshit Mirditë.
Shkollën fillore e ka ba në vitet 1926-1931, në konviktin e Oroshit, për arsye ekonomike nuk ka mundur me vazhdue shkollimin.
Mobilizohet në ushtrinë e Monarkisë Shqyptare ku punoj daktilografist në batalionin e Elbasanit dhe mbasi ai ishte përdorues i mirë i makinës së shkrimit, e mbajtën n/oficer karriere në sekretarinë e batalionit të Elbasanit.
Mbas luftës së dytë botërore, e kërkoi Bardhok Biba me punue sekretar në zyrën e tij dhe Pjetër Kadeli e pranoj propozimin e Bardhokut ku punoj vetëm gjashtë muaj. Vetvetiut shkon mendja ke pyetja, e largoj vetë « Shoku » Bardhok Pjetër Kadelin nga puna dhe pse, apo u vetë largue dhe pse? përgjigjen e pyetjes e ka dhënë vetë Pjetër Kadeli me fjalët si vijojnë: Bardhoku më kërkoj me këmbngulje që unë të kërkojsha me shkrim për tu ba anëtar i partisë anti-zot. Unë ja ktheva përgjigjen me fjalët si vijon: Anëtar i partisë anti-zot, mos mu baftë as Cubi i dhive or Bardhok, (Cub e kishe emrin qeni i dhive) dhe vazhdon deklarimi i tij aty për aty në zyrë me Bardhokun: Në paq nevojë or Bardhok për mësues më ke gati, tjetër punë zyrtare mos më kërko.
Po kush ishte partia anti-zot, për Pjetër Kadelin dhe të gjithë shokët e tij nacionalist? Përgjigjën kësaj ja ka dhënë i papërmenduri në vitin 1967 kur prishi të gjitha institucionet fetare në shqypni dhe shpalli shqypninë shtet anti-zot ashtu siq ishte vetë i papërmenduni.
Mbas pak kohe Bardhok Biba e kërkoj për të punue në arsim dhe ashtu u ba. Punoj mësues në disa shkolla në Mirditë derisa vetë Gjomarkajt e vranë anti-zotin e tyre. Pak dit mbas vrasjes Bardhokut, filluan arrestimet dhe internimet në të gjithë Mirditën.
Ndër familjet që pësuan atë ndëshkim ishin edhe familja e Pjetër Kadelit dhe e Mark Kadelit. Pjetri dhe Marku arrestohen, familjet e tyne i interrnojnë në Tepelenë.
Mbas 11 muaj e gjysëm hetuesi nga anti-zotat shqyptar, me datën 28 korrik 1950, në orët e vona të asaj natë, bashkë me tre shokë të birucës, arratisen nga izolimi i Seksionit të Sigurimit Mirditë. Për fat të keq vritet nga roja e mrendshme njëri nga shokët.
Në fund të muajt korrik të vjetit 1951, Pjetër Kadeli vjen nga Jugosllavia bashkë me dy lumjanë, për të marrë djalin e madh Gjonin, atëher 14 vjeçar. Mbasi siguroj takimin me djalin, udhtuen për në Jugosllavi dhe natën e datës 13 gusht 1951, kaluen kufinin nga Kuksi për në Prizren.
Në vjetin 1954, janë arratisun nga Jugosllavia për në Itali.
Në vjetin 1956, me kërkesën e tyne janë pranue nga shteti Belg si emigrant politik me shkue në Belgjikë, ku kanë jetue deri me datën 29 nëndor të vjetit 1961, datë në të cilën janë nis për në Amerikë.
Mbas 43 vjetësh emigrimi në dy kontinente nga dhuna e djajve të kuq shqyptar, mbërriti me pa familjen dhe atdheun e vet me datën 18/09/1991. Për arsye shëndetëore, në muajn mars të vjetit 2005, ka shkue në Amerikë, dhe mbas 5 vjetësh ka ndërrue jetë në një spital nga një goditje kadiake, me datën 9 prill 2010.
Pjetër Kadeli edhe pse e kaloi gjithë jetën e tij tue hikun nga djajt e kuq, jetoi 95 vjet, ndërsa presekutori i tij dhe i gjithë nacionalistëve shqyptar, jo vetëm që nuk i mbushi të shtatëdhjetë e shtatë por cofi edhe i çmendur, tamam si Cubi i dhive të Pjetër Kadelit, ke Abacia e Oroshit, mbasi ajo Abaci FAME MADHE ishte kthye në postë policie nga anti-zotat shqyptar.
Mbasi lexova në internet një letër që baba em Pjetër Kadeli i ka dërgue Gjon Marka Gjonit, me ca emna të bashkë-puntorëve të ish-sigurimit të shtetit anti-zot, po e deklaroi këtë informacion të shkurt, për do gabime kohore dhe vendore që botuesi i asaj letre nga Franca e ka futun në internet pak ditë ma parë.
Nuk u habita kur në listë shumë emnore disa prej tyne janë edhe në dosjen e Zef Kadelit dhe të Gjetë Kadelit edhe me pseudonime.
Data 9 prill 2020
(Gjetë Pjetër Kadeli)
Firmë
Kjo letër i është dërguar gazetarit Leon Molla në Francë nga Gjetë Kadeli.
MEDIA INDEPENDENT