
Gegë Marka Gega, autor i vrasjes së Mark Gjon Dodës (Kapidani), njihej ndryshe edhe si bajraktari i Shtatë Grykave, në Orosh të Mirditës.
Gegë Marka Gega ishte kapiten në rezervë, i caktuar nga Ahmet Zogu për merita të veçanta, poashtu Gegë Marka Gega e kishte ndihmuar qeverinë në shtypjen e rebelimit të Mirditës, më 1921.
Si Mark Kapidani, ashtu dhe Gegë Marka Gega, ishin nga Mirdita dhe familjet e tyre historikisht ishin rivale për influencë në këtë krahinë.
Familja e Mark Kapidanit dhe e Gegë Marka Gegajt ishin në gjak që nga gjyshërit e tyre.
7 PLUMBA: Në trup mori Mark Kapidani nga të cilët gjeti vdekjen.
1 VIT E 1 MUAJ: Kishte kaluar nga zgjedhja e Mark Kapidanit, si deputet në zgjedhjet parlamentare të asaj kohe.
5 PLUMBA: Në trup mori Gegë Marka Gega nga të cilët mori plagë, por pa i rrezikuar jetën.
20 VJET BURG: U dënua Gegë Marka Gega pas vrasjes së Mark Kapidanit.
Ishte një duel tipik ajo që ndodhi paraditen e 19 dhjetorit të vitit 1933 në Tiranë, mes një deputeti të Parlamentit dhe një oficeri në rezervë.
Për afro 10 minuta, parlamentari Mark Kapidani dhe ushtaraku Gegë Marka Gega shkëmbyen zjarr me pistoletat e tyre në oborrin Pallatit Mbretëror të Ahmet Zogut.
Gega dilte nga takimi me Ahmet Zogun, ndërsa Mark Kapidani po hynte në një takim me mbretin.
Në orën 15:30 ngjarja përfundoi tragjikisht: Mark Kapidani mori në trup shtatë plagë dhe Gega 5 plagë.
Por ndërsa Kapidani ndërroi jetë në orën 15:30, Gega mbijetoi dhe u dënua me 20 vjet burg, ndërsa në familjen Gega u vranë disa burra të kësaj dere që për këto vrasje u akuzua Mbreti që i ka kryer në hakmarrje të Mark Kapedanit.

Jeta e Mark Kapidanit
Lindi në Orosh, ishte i biri i Kapidan Gjon Dodës. Babai i vdiq kur ishte i vogël, prandaj u rrit në Shkodër te kushëriri i tij, Prengë Bibë Doda, i cili nuk kishte trashëgimtarë, prandaj e kishte projektuar Markun si zevendës të vetin.
Mbaroi shkollën e mesme në Shkodër dhe martohet atje me një vajzë të një familje aristokrate qytetare,Roza Babën.
Në Shkodër, Marku banoi në Pallatin e Prengë Bibë Dodës. Në vitin 1920 emërohet Nënprefekti i Lezhës. Pastaj u bë tre herë deputet i Mirditës.
Në zgjedhjet që u mbajtën më 17 maj 1925 u zgjodh deputet i qarkut të Shkodrës, si përfaqësues i Mirditës që përfshihej në atë qark.
Ajo legjislaturë filloi me 1 qershor 1925 dhe zgjati deri me 7 qershor 1928. Parlamenti kishte dy dhoma, 69 deputetë dhe 20 senatorë.
Në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese që u mbajtën më 17 gusht 1928, u rizgjodh deputet, në Parlamentin njëdhomësh me 66 deputetë.
Në zgjedhjet që u zhvilluan më 17 nëntor 1932, zgjidhet për herë të tretë deputet, në Parlementin njëdhomësh me 62 deputetë.
Me 19 dhjetorit të vitit 1933 vritet brenda Pallatit Mbretëror, duke lënë nënën dhe gruan.
Në janar të vitit 1934 Qeveria i lidhi familjes së tij një pension. Pak ditë pas vrasjes, i lindi i biri Gjoni, i cili u bë një kompozitor i njohur.
U varros me nderime të shtetërore, me pjesëmarrje të autoriteteve të larta të vendit.
Fjalën e lamtumirës mbi varrin e tij e mbajti deputeti Nush Bushati, i cili ishte shprehur: “Pusho i qetë Mark Kapidani, shokët e tu të përfaqësimit kombëtar të napin fjalën me ndjekë përherë virtytet e tuaja të nalta”.
Mbi varrin e tij u vendosën shumë kurora me lule, ndër të cilat dhe në emër të Mbretit Zog e të Qeverisë.
MEDIA INDEPENDENT