
Lindi në Orosh, ishte i biri i Kapidan Gjon Dodës. Babai i vdiq kur ishte i vogël, prandaj u rrit në Shkodër te kushëriri i tij, Prengë Bibë Doda, i cili nuk kishte trashëgimtarë, prandaj e kishte projektuar Markun si zevendës të vetin.
Mbaroi shkollën e mesme në Shkodër dhe martohet atje me një vajzë të një familje aristokrate qytetare,Roza Babën.
Në Shkodër, Marku banoi në Pallatin e Prengë Bibë Dodës. Në vitin 1920 emërohet Nënprefekti i Lezhës. Pastaj u bë tre herë deputet i Mirditës.
Në zgjedhjet që u mbajtën më 17 maj 1925 u zgjodh deputet i qarkut të Shkodrës, si përfaqësues i Mirditës që përfshihej në atë qark.
Ajo legjislaturë filloi me 1 qershor 1925 dhe zgjati deri me 7 qershor 1928. Parlamenti kishte dy dhoma, 69 deputetë dhe 20 senatorë.
Në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese që u mbajtën më 17 gusht 1928, u rizgjodh deputet, në Parlamentin njëdhomësh me 66 deputetë.
Në zgjedhjet që u zhvilluan më 17 nëntor 1932, zgjidhet për herë të tretë deputet, në Parlementin njëdhomësh me 62 deputetë.
Me 19 dhjetorit të vitit 1933 vritet, pas një intrige të kurdisur nga njerëz brenda Pallatit Mbretëror, duke lënë nënën dhe gruan.
Në janar të vitit 1934 Qeveria i lidhi familjes së tij një pension. Pak ditë pas vrasjes, i lindi i biri Gjoni, i cili u bë një kompozitor i njohur.
U varros me nderime të shtetërore, me pjesëmarrje të autoriteteve të larta të vendit.
Fjalën e lamtumirës mbi varrin e tij e mbajti deputeti Nush Bushati, i cili ishte shprehur: “Pusho i qetë Mark Kapidani, shokët e tu të përfaqësimit kombëtar të napin fjalën me ndjekë përherë virtytet e tuaja të nalta”.
Mbi varrin e tij u vendosën shumë kurora me lule, ndër të cilat dhe në emër të Mbretit Zog e të Qeverisë.
Nga: Enciklopedia e Mirditës
MEDIA INDEPENDENT