Si sot 101 vjet më parë u vra pabesisht Princi i Mirditës Preng Bib Doda

Vitin e kaluar, pikerisht me 22 mars, Princi i Mirditës, Preng Bib Doda, pati 100 vjetorin e vdekjes. Bashkia Mirditë i bëri një aktivitet sinjifikativ me kete rast, ndërkohë rrugës kryesore hyrëse në qytetin e Rreshenit i vuri emrin e tij. Po sjell disa foto nga eventi, shoqeruar me një përshkrim të portretit të tij nga Syrja Vlora:

Preng Bib Doda, bilonjë e shquar i një familje fisnike në Orosh të Mirditës!…
Princ [Preng Bib] Dodë Pasha ishte shtylla e fortë e mirditorëve, bilonjë e shquar i një familjeje fisnike dhe të vjetër. Me shtatin e gjatë, karakteristik për malësorët dhe me fytyrën e ëmbël, njihej e respektohej në çdo vend. Me mendjen e hollë, kënaqte e gëzonte tërë rrethin. Kishte mjaft dijeni mbi literaturën perëndimore, mbi jetën shoqërore të botës së qytetëruar dhe e njihte situatën ndërkombëtare. Nuk e donte hipokrizinë dhe nuk i besonte asnjë njeriu. Më shumë se gjërat serioze, i pëlqenin shakatë dhe talljet. Lexonte dhe shkruante turqisht, italisht, frëngjisht. Kurdoherë ishte i çelur dhe i buzëqeshur. Ishte i zoti në fjalë e biseda. Romuzet, që i thoshte në formë shakaje, ishin aq të holla dhe me vend, saqë një mijë kritika dhe shpjegime të tjera nuk mund ta shfaqnin atë kuptim. Me Ismail Beun shkonte mirë. Edhe me Esat Pashën nuk dukej të ishte kundërshtar. Por që të dy nuk i donte dhe e shprehte hapur se ishin të dëmshëm për Shqipërinë. Duke ngrënë bukë, të tre së bashku në Pallat me Princ Vidin, në mes të shakave të tjera i tha Princit: “Nëse ke vendosur ta rregullosh Shqipërinë, përfito nga rasti dhe zhdukna të treve, mua, Ismail Qemalin dhe Esat Pashën, sepse cilido nga ne të tre që do të mbetet gjallë, as ty, as Shqipërinë nuk do ju lerë rehat”.
Kjo shaka dy të tjerëve nuk u pëlqeu, megjithatë u detyruan të heshtnin. J. Bourcart, një shkrimtar francez, në një vepër të botuar tani vonë, thotë: “Princ Bib Doda ka një trup të fortë e të shëndoshë, ka një inteligjencë të hollë, por para influencës së priftit të Oroshit ishte i humbur, nuk ishte i zoti të luante ndonjë rol të madh.
Ismail Qemali, megjithëse ishte i zhveshur nga pasuria personale, kishte influencë. Ishte një diplomat i zoti, shumë i ditur e i kulturuar, e njihte fare mirë politikën evropiane dhe dëshironte të ngrinte një administratë perëndimore, por ndodhej nën ndikimin e zakoneve të këqija, që kishte marrë në Stamboll. Sa për Esat Pashën nga trupi ishte i shëndoshë, binte në sy, ishte aktiv dhe tepër inteligjent, por kundrejt dijeve evropiane ishte krejt larg. Xhahil, prish me të katër duart, çapkën, i pangopur me gjë e pasuri, lakmues për nam (famë). Kishte rënë pas të këqijave, një feudal i pamëshirshëm dhe çnjerëzor. Rrethimi i Shkodrës dhe çështja e dorëzimit të qytetit në dorë të Malit të Zi i kishin shkaktuar shumë armiqësi në Shqipëri. Në politikë ishte tepër i paqëndrueshëm. Në Luftën e Përgjithshme anonte nga ana e Grupit të Marrëveshjes (Antantës). Pranoi copëtimin e vendit të tij dhe ia nguli sytë vetëm administrimit të Shqipërisë së Mesme, të cilën donte ta mbante për vete. Heshti ndaj vendimeve të Konferencës së Londrës dhe marrëveshjes Tittoni-Venizelos. U mjaftua duke mbajtur nën sundim të tij vetëm Shqipërinë e Mesme”.
Preng Pasha ishte internuar në Kastamoni dhe për shumë vjet hoqi mundimet e kurbetit. Por asnjëherë nuk u ankua nga vuajtjet në jetë. Lavdërohej me gradat që kishte marrë nga Perandoria Osmane dhe gjithmonë mbante në kokë feste të kuqe. Në Shkodër, gjatë Luftës së Përgjithshme një kolonel austriak dhe një major hungarez donin t’ia cenonin këtë dukje osmane. Me këtë rast Bib Doda, foli për të ardhmen e luftës dhe iu drejtuar majorit hungarez: Nuk e kuptoj me ç’qëllim u futën hungarezët në luftë? Në rast se fitojnë gjermanët, austriakët do t’i shtypin; në rast se gjermanët do të munden, hungarezët nuk do të jenë të zotë të mbrojnë ekzistencën kombëtare.
Preng Dodë Pasha nuk kishte besim në të ardhmen e vendit. Po ashtu nuk besonte se krerët e tri feve do të arrinin të kishin ndonjë qëllim të përbashkët. Nga ky shkak, hezitonte të pranonte detyra me rëndësi në Shqipëri. Nuk lakmonte nam e pozitë.
Pas armëpushimit u vra tradhtisht nga bashkatdhetarët e tij. Preng Dodë Pasha, ishte dashamirës, i mençur dhe mirëbërës, ishte burrë me besë, me zemër shqiptari, sakrifikohej për ata që i kishte miq….)

Nga: Gjergj Marku
MEDIA INDEPENDENT

Votre commentaire

Entrez vos coordonnées ci-dessous ou cliquez sur une icône pour vous connecter:

Logo WordPress.com

Vous commentez à l’aide de votre compte WordPress.com. Déconnexion /  Changer )

Image Twitter

Vous commentez à l’aide de votre compte Twitter. Déconnexion /  Changer )

Photo Facebook

Vous commentez à l’aide de votre compte Facebook. Déconnexion /  Changer )

Connexion à %s