
Në vitin 1907 konsulli i nderit te Suedisë në Shkodë solli nga jashtë një biçikletë, por e pati mjaft të vështirë ta fuste në Shkodër, sepse edhe vetë doganjerët nuk e njihnin.
Kjo biçikletë tërhoqi vëmendjen e të gjithë banorëve qytetarë që e shikonin me habi sepse ishte i pari dhe i vetmi mjet në tokë, në atë kohë në Shkodër, që ecte pa u tërhequr nga kuajt apo qetë.
Ndonjë fanatik e quajti edhe “karroca e djallit”.
Koha bën te veten dhe numri i biçikletave erdhi duke u rritur, kështu që askush nuk habitej nga ai mjet udhëtimi.
Pas disa vitesh një biçikletë tërhoqi përsëri vëmendjen e qytetarëve të Shkodrës, sa që kur moren vesh se po kalonte para kafenesë, burrat lanë tavolinat dhe vrapuan te dera e tek dritaret e kafenesë për ta parë atë.
Biçikleta ishte e zakonshme si të tjerat, por e veçanta ishte se atë po e niste një grua e konsullatës austriake, pra ishte hera e parë që shikohej një grua të niste biçikletën.
Kishin arsye te çuditehin shkodranët pasi atehere gruaja shkodrane ishte vetem brenda mureve të avullive të larta, mbuluar me çarçaf apo perçe e nuk lejohej që grave t’u shihej as fytyra, jo më të hipnin në biçikletë.
Sot të çudit ndonjë grua që thotë nuk e di biçikletën.
Për kushtet e qytetit të Shkodrës, biçikleta kursen shumë kohë.
Kjo është arsyeja që Shkodra ka shumë biçikleta ndaj dhe quhet “qyteti i biçikletave”.
Nga: Shkodra ndër vite
MEDIA INDEPENDENT