“BIRI IM” dhe “BIRI YNË”…

Është 4 mars, 14 vjet shkuan nga 2006-ta. Por miqtë, Tan – Tan, vazhdojnë të thërrasin emrin tand.

Dritani, djali i Zija Çelës

Nga: Kim Mehmeti

Libri i Zija Çelës “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” më ra në dorë posa doli nga shtypi. Por e kam lexuar shumë vonë. Ai ka qëndruar me muaj mbi tavolinën time të punës, në këndin ku mbaj librat që duhet t’i lexoj patjetër. E pranoj hapur, sa herë e merrja në dorë, më kaplonte një trishtim dhe gjithmonë e çvendosja pakëz më poshtë, e shtyja për më vonë. Prej nënvetëdijes sime me ngrihej një valë trishtimi, që sikur ma përpinte guximin për lexim. Dhe nga rrëqethja, sa herë bëhesha gati që të nisja ravgimin nëpër shtresat e dhembjes së mikut, më shkonte ndër mend: Jam humbës i llojit të Zija Çelës.
Kisha humbur dy fëmijë, një bebushkë të lezetshme tre mujshe dhe djalin pesëvjeçar, thirrjet e të cilit nuk ka ditë që mos të më jehojnë në vetëdije. Mbase prandaj kisha frikë se, gjatë leximit të këtij libri, mos vallë do të rijetoja dhembjen time dhe jo atë të Zija Çelës. Doja të përjetoja atë që sillte libri, pa e ngarkuar me përvojën time, prandaj kisha nevojë për një parapërgatitje.
Edhe diçka plotësuese për marrëdhënien time me librin e Zija Çelës. Miqtë më të afërt më kanë pyetur shpesh se përse nuk kam shkruar asgjë për këto humbje të mia familjare. Për herë të parë po e pranoj publikisht, jo se nuk kam dashur, por se nuk mundesha. Pasi kisha përjetuar humbjen, ndjehesha i paaftë të shkruaja për vdekjen, më bëhej se nuk e kisha as atë forcë, as atë dhunti që t’i ndaja fijet e dhembjes personale dhe, nga këto fije të holla, të qëndisja tekst të pastër letrar, tekst pa ngulfatjen e ofkëllimave të thella shpirtërore, të cilat duan të kumtojnë vetëm porosinë se prindi, që ka përcjellë në varr fëmijën e vet, më tej sikur vetëm bën hije përmbi dhè. Ose jeton vetëm për një arsye, që ta mbajë të gjallë kujtimin e tij. Aq më shumë që e dija se disi edhe do mund ta zbërtheja dhembjen time, por kurrë nuk do t’ia dilja të shpalosja dhembjen e nënës sime, e cila pas vdekjes së djalit pesëvjeçar, sa herë endej e vetme nëpër oborr, lëshonte një klithmë rrëqethëse: “Biri im!..” Dhe asnjëherë nuk e kuptova, vallë, më drejtohej mua apo nipit, që e kishte humbur përgjithmonë. Andaj, sa herë që kam provuar të shkruaj çkadoqoftë për dhembjen time, më jehonte kjo klithmë e gjyshes së djalit, klithma e nënës sime, ku çdo shkronjë e kësaj britme ngërthente në vetvete tërë atë që doja të thoshja unë nëpërmjet shkrimit, shpaloste dhembjen e dyfishtë të saj: atë për nipin që kishte humbur dhe për djalin që duhej të jetonte me ngarkesën e vdekjes së vet mbi shpinë. Kështu që edhe sot, pasi nëna ka ndërruar jetë, sa herë dëgjoj thirrjet e largëta të tim biri, më vijnë së bashku me ofshamën e saj: “Biri im!
Çfarë shkrova më lart nuk mund të mos e përmendja. Por jo, në asnjë mënyrë që të përball dy dhembje të pakrahasueshme. E përmenda nga shkaku se, kur më në fund mora guximin ta lexoja “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, kisha ndjenjën se miku im dhe mjeshtri i fjalës letrare Zija Çela, ia kishte dalë të bënte atë që unë nuk mundesha. Kuptohet, nuk dyshoj aspak në thënien e autorit se “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, por në librin e Z. Çelës kjo dashuri bart edhe shijen e vdekjes, edhe shijen e jetës, të trazuara e të shkrira në një. Me çka edhe thelbi i kësaj “enciklopedie”, të cilën mund të shkruajnë vetëm ata që ngrihen mbi dhembjen, vetëm ata që dinë dhe që munden ta bëjnë dhembjen art dhe artin mbështjellës të dhembjes. Prandaj them se ky libër i Zija Çelës më mësoi të qëndroj mbi dhembjen, më shpalosi si mundet që prej dhembjes, e cila të bren çdo qelizë të trupit, të ndërtosh monument të atillë që merr përmasat e një përmendoreje letrare. Çfarë e ka e arritur vetëm Zija Çela dhe Ali Podrimja me poezitë e tij në përmbledhjen “Lum Lumi”. E s’kam pse mos ta pranoj, unë nuk ia dola ta realizoja kurrë, mbase për shkakun se që të qëndrosh mbi dhembjen, duhet të jesh alpinist letrar i përmasave të tjera, i atyre të Zija Çelës, i cili në këtë libër nuk shkruan thjesht për dhembjen, por në të vërtetë i lejon asaj të derdhet lirshëm nga qenia e tij, të rrjedhë e papenguar drejt detit të përjetësisë, ku pushojnë të gjitha dhembjet që ka shijuar gjinia njerëzore e ku, tashmë, bën pjesë edhe kjo e Zijait.
Në një rast tjetër e kam thënë se vetëm mjeshtërit e mirëfilltë të penës ia dalin që përjetimet personale, pra jetën e tyre, ta ngrenë në rrafshin e veprës artistike. Mbase kjo është e vështirë, ngaqë në rastet kur bën art nga vetvetja, imagjinata nuk është e lirë si atëherë kur shkruan për të papërjetuarat, e kur imagjinata e patrembur, e pajoshur nga personalja, kullot lirshëm nëpër hapësirat e paskajshme të mendësisë.
Nuk kam pse mos ta them: duke lexuar këtë libër të Zijait, mbi të gjitha, më mrekullonte forca e tij. Forca përballë hatasë, që ta gërvisht shpirtin me thikën e nxehtë të dhembjes së jetuar. Prandaj edhe pyesja veten: Cila shtytje mund ta çojë njeriun që nga dhembja e vet të ndërtojë një monument letrar? Ndoshta kjo shtytje vjen nga potenca krijuese që don t’i bëjë ballë dhembjes, arsyetoja, që don ta shthurë atë, ta ndajë në fijet e saj më të padukshme, duke i “ikur” edhe asaj që tashmë është aq e ditur dhe aq e përhapur. Pra duke dëshmuar se, vërtet, vdekja dhe lindja janë fenomenet më të përsëritura në këtë botë, por ato kurrë nuk e humbin risinë e vet, ato gjithmonë përjetohen sikur të kishin ndodhur për herë të parë mbi këtë rruzull tokësor.
Dhe sikur mos të ishte kështu, askush nuk do shkruante për to. Sikur mos të ishte kështu, edhe ky libër i Zijait nuk do ishte kaq i veçantë, kaq i thellë dhe kaq kuptimplotë, sa gjatë leximit kisha ndjenjën se përpos ofkëllimave të veta, ai ka bërë çmos që të ndërthurë edhe klithjet e të gjithë prindërve që kanë humbur fëmijët dhe që e njohin trishtimin e ofkamës “Biri im!” ose “Bija ime!”. Në fund të fundit, nga këto ofshama janë ngjizur vepra, që i kanë rezistuar kohës, e ato edhe më tej do të jenë brumë për artin. E ky libër i Zija Çelës (pikërisht çfarë doja të thoja nëpërmjet ndërhyrjeve nga përvoja ime) shkon përtej dhembjes personale, ky libër shpjegon se njeriu nuk vdes atë ditë kur varroset, por atëherë kur nuk e kujton askush.
Shkurt e shqip, Zija Çela ia ka dalë që Dritanin e tij ta bëjë të Përjetshëm. Dhe mbase siguria krijuese se do t’ia dilte ta ndërtonte këtë monument letrar, ka bërë që autorin të mos e kufizonte ofshama “Biri im”, por të shkruante duke u ngritur tek niveli sublim “Biri ynë”. (Nga libri “Përgjigje për dashurinë”

MEDIA INDEPENDENT

Votre commentaire

Entrez vos coordonnées ci-dessous ou cliquez sur une icône pour vous connecter:

Logo WordPress.com

Vous commentez à l’aide de votre compte WordPress.com. Déconnexion /  Changer )

Photo Google

Vous commentez à l’aide de votre compte Google. Déconnexion /  Changer )

Image Twitter

Vous commentez à l’aide de votre compte Twitter. Déconnexion /  Changer )

Photo Facebook

Vous commentez à l’aide de votre compte Facebook. Déconnexion /  Changer )

Connexion à %s