Vendimi i gjykatës për Ramiz Alinë dhe krerët e tjerë të diktaturës komuniste

Gjykata në bazë të Kodit të Procedurës Penale, vendosi:

Deklarimin fajtor të së pandehurit Ramiz Alia për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave të shtetasve dhe dënimin e tij me 9 vjet heqje lirie.
Detyrimin e të pandehurit për të paguar në favor të Drejtorisë së Pritjes shumën 1.174.167 lekë.

Deklarimin fajtor të së pandehurit Manush Myftiu për veprën penale të shpërdorimit të detyrës me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave të shtetasve dhe dënimin me 5 vjet heqje lirie.
Detyrimin e të pandehurit për të paguar në favor të Drejtorisë së Pritjes shumën 424.464 lekë.

Deklarimin fajtor të së pandehurit Adil Çarçani për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave të shtetasve dhe dënimin e tij me 5 vjet heqje lirie.
Detyrimin e të pandehurit për të paguar në favor të Drejtorisë së Pritjes shumën 667.727 lekë.

Deklarimin fajtor të së pandehurit Rita Marko për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave të shtetasve. Jep dënimin e tij me 8 vjet heqje lirie.
Detyrimin e të pandehurit për të paguar në favor të Drejtorisë së Pritjes shumën 275.873 lekë.

Deklarimin fajtor të së pandehurit Simon Stefani për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave të shtetasve, në dëm të jetës së disa personave të vrarë në kufi dhe dënimin e tij me 8 vjet heqje lirie.
Detyrimin e të pandehurit për të paguar në favor të Drejtorisë së Pritjes shumën 188.869 lekë.

Deklarimin fajtor të së pandehurit Hekuran Isai për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave të shtetasve dhe dënimin e tij me 5 vjet heqje lirie.
Detyrimin e këtij të pandehuri të paguajë në favor të Drejtorisë së Pritjes shumën 413.082 lekë.

Deklarimin fajtor të së pandehurit Aranit Çela për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave të shtetasve dhe dënimin e tij me 7 vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të së pandehurit Zylyftar Ramizi për veprën penale të shpërdorimit të detyrës me pasojë shkeljen e të drejtave themelore të shtetasve dhe dënimin e tij me 6 vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të së pandehurit Rrapi Mino për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në dëm të jetës së personit dhe dënimin e tij me 4 vjet heqje lirie.

Deklarimin fajtor të së pandehurit Veiz Hadëri
për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në dëm të jetës së personit dhe dënimin e tij me 3(tre) vjet heqje lirie.

(Procesi 1996)

Në emër të ligjit
Gjykata e Rrethit Tiranë e përbërë nga trupi gjykues:

kryetari e seancës Petrit Kaja,
anëtar i seancës Sofije Zhilla
dhe anëtar i seancës Dritan Broci,

sot më datën 20.8.1996 ora 10:00 mori në shqyrtim në seancë publike çështjen penale në ngarkim të së pandehurve Foto Çami, Prokop Murra, Muho Asllani, Gaqo Nesho, Zef Loka e Dilaver Bengasi, akuzuar për veprën penale të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera në bashkëpunim.
Në përfundim, gjykata pas marrjes së provave nga palët në seancë gjyqësore të administruara në dosje dhe pas diskutimeve përfundimtare konform Kodit të Procedurës Penale, vlerësoi:

  1. Tërheqjen e akuzës për sa i përket veprës penale të gjenocidit në ngarkim të së pandehurve Foto Çami, Prokop Murra e Muho Asllani.
  2. Deklarimin fajtor të pandehurit Foto Çami për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit të kryera në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 25 (njëzetepesë) vjet heqje lirie.
  3. Deklarimin fajtor të së pandehurit Prokop Murra, për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit të kryera në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 25 (njëzetepesë) vjet heqje lirie.
  4. Deklarimin fajtor të së pandehurit Muho Asllani, për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit të kryera në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 20 (njëzetë) vjet heqje lirie.
  5. Deklarimin fajtor të pandehurit Gaqo Nesho, për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit të kryera në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet heqje lirie.
  6. Deklarimin fajtor të pandehurit Zef Loka, për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit të kryera në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet heqje lirie.
  7. Deklarimin fajtor të pandehurit Dilaver Bengasi, për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit të kryera në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet heqje lirie.
    Të pandehurit në seancë mohuan akuzën dhe i kërkuan gjykatës në fjalën e fundit pafajësi.
    Krimet kundër njerëzimit.

    Nga hetimi gjyqësor i çështjes dhe provat e marra në seancë gjyqësore rezultoi e provuar se:

    I pandehuri Foto Çami, ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë M-L në ish-BS dhe ka punuar fillimisht në aparatin e KQ në sektorin e propagandës dhe ndihmës i ish-sekretarit të KQ për propagandën, më pas në vitin 1976 është emëruar sekretari i parë i Partisë në rrethin e Krujës e në vazhdim në atë të Shkodrës. Në vitin 1982 emërohet sekretar i parë i Tiranës, ndërkohë që në Kongresin e 9-të të partisë zgjidhet anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i KQ për sektorin e propagandës.

    I pandehuri Prokop Murra, ka kryer detyrën e sekretarit të parë të Partisë për rrethin e Shkodrës dhe më vonë atë të ministrit të Mbrojtjes, ka qenë i zgjedhur kandidat e anëtar i Byrosë Politike.

    I pandehuri Muho Asllani, e ka nisur karrierën politike fillimisht si instruktor i aparatit të Komitetit të Partisë në Shkodër, pastaj sekretar i parë i partisë për Matin e më vonë për Kukësin. Në vazhdim, sekretar i parë i KP-së të Rrethit Shkodër, zv/ministër Bujqësie e ministër Bujqësie. Në periudhën 1986-1990 sekretar i Parë i KP-së të Durrësit..

    I pandehuri Gaqo Nesho, në vitin 1970 sekretar i Parë i KP së Pogradecit, më 1973 sekretar i parë i Rrethit të Beratit, më 1979 sekretar i parë i Rrethit të Vlorës deri në vitin 1982, ku u zgjodh nënkryetar i Komisionit qendror të partisë për Kontroll-Revizionin.

    I pandehuri Zef Loka, me detyrën shtetërore 1976 zëvendësdrejtor i drejtorisë së Punëve të Brendshme, më 1984 kryetar i degës së Punëve të Brendshme të Durrësit, më 1987 drejtor i Drejtorisë së parë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në janar 1990 shkarkohet për ngjarjet e 2 korrikut në ambasada.

    I pandehuri Dilaver Bengasi, më 1973 ka qenë zëvendësprokuror në Prokurorinë e Rrethit Tiranë për anën hetimore, më 1974 është emëruar oficer dhe hetues në degën e Punëve të Brendshme në Tiranë, më pas shef i sektorit të krimeve në ekonomi dhe në korrik 1982 është emëruar kryetar i hetuesisë Tiranë, detyrë të cilën e ka kryer deri në shtator të vitit 1983, kohë pas të cilës është emëruar zëvendësdrejtor i Policisë Popullore në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nga janari i viti 1985 e deri në 18 korrik 1990 ka bërë detyrën e drejtorit të Policisë së Republikës.

    Këta të pandehur duke qenë në funksione të larta partiake e shtetërore gjatë ushtrimit të detyrës kanë propozuar për internime e dëbime për shtetas të shumtë dhe në rrethet, ku ata kanë ushtruar detyrën kanë paraqitur raport propozimet për internim-dëbimet masive.
    Të gjitha këto dënime nga të pandehurit janë kryer për motive politike, ideologjike dhe me qëllim përjetësimin e diktaturës dhe të shtetit totalitar, si dhe për eliminimin e kundërshtarëve politikë të tyre.
    Internim dëbimet e dhëna nga këta të pandehur janë bërë në vende të ndryshme dhe kanë përfshirë gra, pleq e fëmijë, të cilët nuk kishin konsumuar asnjë lloj vepre penale. Atyre gjatë kësaj periudhe u janë mohuar të drejtat dhe liritë elementare, si e drejta e fjalës, e lëvizjes, e arsimit dhe e normalitetit të jetesës, ku një pjesë e tyre kanë vuajtur nga kushtet tejet të rënda, si pasojë e të cilave disa kanë gjetur edhe vdekjen…
    Në këtë mënyrë pavarësisht nga përshkrimi i mekanizmit të kryerjes së veprës penale, rezulton e provuar se të pandehurit kanë konsumuar plotësisht veprën penale të krimeve kundër njerëzimit të kryera në bashkëpunim…Gjykata duke vlerësuar provat e paraqitura konkludon, se të pandehurit duhet të përgjigjen për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit të kryera në bashkëpunim.
    Fajësia e të pandehurve u provua në seancë gjyqësore si nga provat shkresore, siç janë raport propozimet e cituara në arsyetimin e mësipërm për internim-dëbimet të nënshkruara nga të pandehurit, me shpjegimet e dëshmitarëve të bëra në seancë gjyqësore, të cilët shpjeguan pasojat e rënda e të pariparueshme nga veprimet e të pandehurve dhe provat e tjera shkresore.
    Vepra penale e kryer nga të pandehurit, ndonëse nuk parashikohet në Kodin Penal të kohës gjatë të cilës të pandehurit kanë kryer krimet, kurrsesi nuk mund të shfajësojë pretendimet e të pandehurve, pasi vepra për të cilën akuzohen ka qenë parashikuar në konventën ndërkombëtare “Mbi mos parashkrimin e krimeve kundër njerëzimit” e nënshkruar nga vendi ynë në kohën e kryerjes së veprës penale, si dhe duke pasur nenin 67 të ligjit nr.7895 datë 2.7.1995 ligjvënësi në mënyrë taksative ka shprehur efektet e shtrirjes së tij në kohë kur thotë: “Nuk i nënshtrohen parashkrimit të ndjekjes penale krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit”. Për rrjedhojë pavarësisht nga koha e kryerjes së veprës penale, ky krim është i dënueshëm në çdo moment kur zbulohen autorët e tij.
    Kjo vepër paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore, pasi ka cenuar marrëdhëniet juridike të vendosura në harmoni me normat e të drejtës penale ndërkombëtare dhe konventat përkatëse për sigurimin e jetës, shëndetit dhe të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve.
    Nga ana objektive vepra penale është kryer me veprime aktive të së pandehurve me anë të përpilimit të formularëve për internim dëbimet.
    Nga ana subjektive vepra penale është kryer me dashje direkte, nisur nga motivet politike e ideologjike, fetare etj., me qëllim eliminimin e kundërshtarëve politikë dhe përjetësimin e shtetit të diktaturës. Në lidhje me bashkëpunimin në kryerjen e krimit, ai ka qenë i hapur dhe instaluar de fakto nga partia shtet nën parimin e luftës së klasave në luftë kundër çdo personi që kërkon devijimin e këtij kursi për konsolidimin e diktaturës në Shqipëri…

    Për këto arsye
    Gjykata bazuar në nenet e Kodit Penal
    Vendosi:
  8. Deklarimin fajtor të pandehurit Foto Çami për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit të kryer në bashkëpunim dhe e dënon atë me burgim të përjetshëm.
  9. Deklarimin fajtor të pandehurit Prokop Murra për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit të kryer në bashkëpunim dhe e dënon atë me burgim të përjetshëm.
  10. Deklarimin fajtor të pandehurit Muho Asllani për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit të kryer në bashkëpunim dhe e dënon atë me burgim të përjetshëm.
  11. Deklarimin fajtor të pandehurit Gaqo Nesho për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit të kryer në bashkëpunim dhe e dënon atë me 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet burgim.
  12. Deklarimin fajtor të pandehurit Zef Loka për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit të kryer në bashkëpunim dhe e dënon atë me 20(njëzetë) vjet burgim.
  13. Deklarimin fajtor të pandehurit Dilaver Bengasi për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit të kryer në bashkëpunim dhe e dënon atë me 18(tetëmbëdhjetë) vjet burgim.
    U shpall sot në Gjykatën e Rrethit Tiranë më 20. 06. 1996 ora 14:00.

Nga: Nebil Çika
MEDIA INDEPENDENT

Votre commentaire

Entrez vos coordonnées ci-dessous ou cliquez sur une icône pour vous connecter:

Logo WordPress.com

Vous commentez à l’aide de votre compte WordPress.com. Déconnexion /  Changer )

Photo Google

Vous commentez à l’aide de votre compte Google. Déconnexion /  Changer )

Image Twitter

Vous commentez à l’aide de votre compte Twitter. Déconnexion /  Changer )

Photo Facebook

Vous commentez à l’aide de votre compte Facebook. Déconnexion /  Changer )

Connexion à %s