
»Keshvare kuchek amâ sharir », e qujti Shqipërinë udhëheqësi sipror i Republikës Islame të Iranit. Për gjysmën e parë të porosisë na u desh përkthimi: vend i vogël. Pjesën tjetër, me fjalët perse e arabe që i kemi përvetësu ndër shekuj, e morëm vesh lehtë: kaçik ama sherr – i vogël por me sherr, i lig.
Ne vërtet jemi vend i vogël. Ama jemi ashik i paqes e i lirisë, aleat i botës demokratike dhe dost i popullit iranian.
Ajetollah Hameneiu sundon prej 30 vjetësh me grusht të hekurt, duke shtypë e varfëru popullin e vet dhe duke trazu shtetet fqinje. Vetëm muajve të fundit, mija veta janë vra në qytetet persiane gjatë protestave për demokraci. Përplasjet me Amerikën kulmuan me vrasjen e gjeneralit iranian që udhëhiqte operacionet në rajon. Sot Irani u hakmor me sulme ndaj ushtrisë amerikane në Irak. Amerika thotë nuk don luftë. Irani thotë se nuk don shkallëzim.
Lufta njëmend nuk është zgjidhje. Por as lufta nuk shmanget, as zgjidhja s’mund të gjendet, pa përkushtim të njëmendtë për paqe dhe përparim. Ky përkushtim fillon me fjalë dhe vijon me vepra. Andaj, gjuha dhe veprimet e dhunshme duhet të marrin fund qysh tani.
Nga: Getoar Mjeku
MEDIA INDEPENDENT