PRIZMIM MBAS 80 VITEVE TË 7 PRILLIT 1939

Mbretërit mbeten të gdhendur në kujtesën e popujve pamvarësisht rrjedhave të historisë dhe kjo është e vlefshme dhe për Mbretin e Shqipërisë Zog-I shpallur Mbret i Shqiptarëve me 1 Shtator 1928. Normalisht 50 vite janë të mjaftueshme për të zbardhur e për të qenë objektiv për një ngjarje historike sado e ngatërruar të jetë ajo. Tashmë kanë kaluar 80 vite nga 7 Prilli i vitit 1939 dhe ende nuk është zbardhur ky 7 Prill duke mbetur një abses i papastruar e shëruar në historinë e popullit Shqiptarë për shkak të qëndrimeve fanatike të intelektualizmit shqiptarë të pasluftës së Dytë Botërore. Me 7 Prill 1939 kishim një xhandarë të doganës së Durrësit, Kapter Cakuli që ndodhi me shërbim në natën e 7 Prillit 1939 duke dhënë jetën me armë në dorë kundër ushtrisë fashiste italiane si një ushtarak iniciative që pas ardhjes në pushtet të komunistëve në vitin 1944 enveristët e bërën Hero të Popullit duke i ndërruar edhe identitetin dhe duke e quajtur Mujo Ulqinaku, kurse Mbretin Zog-I e shpallën tradhëtarë, frikacak etj. Me 7 Prill 1939 Bazi i Sanës që shullohej në Shijak të Durrësit një nëntoger në vitin 1915 (Milazim) në ushtrinë civile të Esat Pashë Toptanit në Kthellë të Mirditës dhe me ardhjen në pushtet të Ahmet Zogut në Dhjetor të vitit 1924 e bëri Kapiten duke e quajtur Abaz Kupi dhe i biri i tij Leka-I e bëri Hero të gjallë për të ballancur heroin e komunizmit Mujo Ulqinakun. Mbas Mujo Ulqinakut sot kemi edhe Abaz Kupin, kemi edhe rreth 400 ushtarë fashistë italian të vrarë me 7 Prill 1939 gjatë zbarkimit në Durrës dhe përsëri kemi Mbretin që iku ku në të vërtetë Mbreti Zog-I nuk ka ikur, por ka ikur Princ Vidi, Mbreti Zog-I në të vërtetë është larguar nga Shqipëria. Për të qenë sa më racional në këtë ndërmarrje njohëse dhe vërtetësie të 7 Prillit 1939 duhen vënë mënjëanë propaganda fashiste-duçiste propaganda komuniste-enveriste si dhe referencat orangeliane të votkës si dhe klerikët e shërbetit dhe fallit, duke pranuar shtetin Shqiptarë ashtu siç është që nga themelimi i tij dhe konkretisht Shteti Shqiptarë i shpallur me 28 Nëntor 1912 në Vlorë u njoh zyrtarisht nga 6 Fuqitë e Mëdha të kohës, Britania e Madhe, Franca, Gjermani, Rusia, Austro-Hungaria e Italia në Korrik të vitit 1913 si një Mbretëri e pavarur dhe trashiguese me Princ Vidin nën kujdestarinë e patronazhin e Mbretërisë së Italisë ku këtu kemi edhe një klauzolë therëse e pickuese që përveç garancisë të sovranitetit të Mbretërisë së Shqipërisë nga 6 Fuqitë e Mëdha të kohës « Mbretëria e Italisë ka të drejtë të ndërhyjë ushtarakisht në Mbretërinë e Shqipërisë sa herë e gjykon dhe e shikon të arsyeshme », gjë të cilën e ka bërë më shumë se një herë përgjatë historisë së Shtetit Shqiptarë . Mbas përzënjës së Princ Vidit nga Mbretëria e Shqipërisë pa hequr dorë nga kurora si Princ legjitim, Mbretëria e Shqipërisë pushoi së ekzistuari dhe territori i saj u nda në mes Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Italisë. Në Konferencën e Versajës Presidenti i SHBA-së Thomas Woodrow Wilson vendosi veten mbi të gjitha marrveshjet e fshehta të bëra përgjatë Luftës së Parë Botërore. Përsa i përket Mbretërisë së Shqipërisë i detyroi Europianët që kufijt e Mbretërisë Shqiptare të kthehen në kufijt e vendosura në muajn Korrik të vitit 1913. Kjo Veto e Presidentit Wilson u zyrtarizua në Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1921 gjë e cila u kontestua përpara gjykatës së La Haye nga Jugosllavia dhe Greqia. Në vitin 1925 Mbretëria e Shqipërisë u shpall Republikë dhe Ahmet Zogu President i saj për 7 vjet që u njoh nga më të parët prej Musolinit. Në lidhje me kontestimin greko-jugosllav mbi kufijt e Shtetit Shqiptarë në Gusht të vitit 1925 gjykata e La Haye i jep Manastirin e Shën Naumit tek Liqeni i Ohrit Jugosllavisë dhe i kthen Shqipërisë 14 fshatra përreth Korçës në dëm të Greqisë. Ahmet Zogu për t’u dhënë fund pretendimeve territoriale të fshqinjëve Jugosllav dhe Grek i kthehet njohjes zyrtare të muajt Korrik 1913 dhe i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Romës për mbrojtje ekskluzive të Shqipërisë me paktin e Tiranës « të miqësisë dhe sigurisë » nënshkruar në Tiranë në Nëntor të vitit 1926. Me mbështetjen e Musolinit, Ahmet Zogu mblodhi Asamblenë Kombëtare dhe në mënyrë unanim Asambleja e mbledhur me 1 Shator 1928 vendos që Republikën e Shqipërisë ta transformonin në një Mbretëri Demokratike Parlamentare dhe Trashëguese të cilin Ahmet Zogun e Shpallin Mbret të Shqiptarëve. Nga viti 1928 deri në vitin 1938 ku Mbreti Zog u martua me Konteshën hungareze Geraldina Appony sigurisht duke lënë pa përmendur incidentin detar të Adriaktikut në vitin 1932 marrdhënjet e Mbretit Zog-I me Duçen kanë qenë korrekte dhe në respektim të kontratave të bëra në mes tyre dhe qeverive të dy vendeve, poashtu dhe detyrimeve që rridhnin nga vendimet e shoqërisë së nacioneve. Më mirë se Mirditorët, veçanërisht Kthella e Mirditës nuk mund ti njohin Mbretin Zog-I dhe 7 Prillin e vitit 1939. Mbreti Zog-I dhe familja e tij kanë mbajtur një qëndrim dashamirës dhe miqësor me Mirditorët dhe nuk kanë mohuar asnjëherë Autonominë e Mirditës që e kishte njohur e zyrtarizuar edhe Kongresi i Berlinit në vitin 1878. E vërteta e marrdhënjeve të Mbretit Zog-I me Mirditorët nuk janë ato që lexojmë në librat dhe historitë e deritanishme, dhe është për të ardhur keq që edhe këndvështrimi i Blendi Fevziut në librin e botuar në vitin 2014 që i kushtohet Ahmet Zogut « Presidenti që u bë Mbret », shtypjen e kryengritjes së Mirditës ia dedikon Ahmet Zogut që në të vërtetë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 1921 Ahmet Zogu u evitua nga qeveria e Iliaz Vrionit dhe në vend të tij Ministër i Brendshëm ishte Mehdi Frashëri. Realisht kryengritja e Mirditës dështoi për shkak të urisë dhe të ftohtit. Nga muaj Prill 1921 që filloi kryengritja e Mirditës deri në muajn Dhjetor po të këtij viti Ahmet Zogu ka qenë thjeshtë një deputet i parlamentit Shqiptarë që përfaqësonte Matin e Dibrën. Në kryengritjen e Mirditës Ahmet Zogu pa në praktikë se kush janë në të vërtetë Mirditorët dhe si janë ata të pathyeshëm dhe se fatkeqësia e Mirditorëve janë vetë Mirditorët. Ata që morën pjesë për të shtypur kryengritjen e Mirditës ishin vendasit si: Kapiten dhe drejtues i forcave ushtarake të Shqipërisë së Veriut Preng Jaku dhe oficerë të tjerë vendas si: Preng Pervizi, Lek Margjini, Lek Marashi, Ndrec Lufi, Pjetër Ndue Mardoçi etj. Quditërisht gati të gjithë shkruajnë gënjeshtra dhe gjëra të pa sakta rreth kryengritjes së Mirditës dhe shkaqet e fillimit të saj, për preçizionet e tjera gjenden në librin « Ngjarje Historike » me autor Nikoll Melyshi, botuar në vitin 1976 në SHBA. Kthehemi në vitin 1914 ku Ahmet Zogu dhe pse me forcat e tij nuk mori pjesë në shtypjen e kryengritjes së Haxhi Qamilit në Durrës që luftonin me flamurin turk ku frymëzuesi i tyre ishte myftiu i Tiranës Musa Qazimi të cilët donin që në Shqipëri Princ Vidi të zëvendësohej më një Princ turk në vend të një Princi kristian dhe shpalljen e gjuhës turke si gjuhë zyrtare, shkrimi të bëhej me germa arabe, ndërsa flamurit Shqiptarë ti shtohej gjysëm hëna e turqisë, por vëllai i Ahmet Zogut, Xhelal Zogu, kryesuesin e kësaj kryengritje Haxhi Qamilin e dënoi me vdekje me varje në litarë duke kurorëzuar edhe stërmundimet e Mirditorëve më në krye Princin e tyre Preng Bib Dodën bashkë me Kosovarët që iu përgjigjen thirrjes së tij për ndihmë në shtypjen e kësaj lëvizje antikombëtare kundër qeverisë së ligjshme të Durrësit të vitit 1914. Në Dhjetor të vitit 1921 Ahmet Zogu deputet i Matit dhe Dibrës do të pajtonte Mirditorët dhe Kapidanin Marka Gjonin me qeverinë e Tiranës duke iu akorduar amnisti dhe të drejtën e mbajtjes së armës edhe pse Kapidan Marka Gjoni ia theu për koke karriken e tij Ministrit të Brendshëm të asaj kohe që ishte Mehdi Frashëri në takimin zyrtarë që kishte bërë me të, sepse Mehdi Frashëri kishte urdhëruar çarmatimin e
Mirditorëve dhe coptimin e Krahinës Autonome të Mirditës në tre nënprefektura dhe në nënprefekturën qëndrore me qendër në Orosh Kapidan Marka Gjoni të emërohej nënprefekt. Me këtë akt Ahmet Zogu përveqëse u dha të drejtat që u takonin, iu ktheu njëkohësisht edhe nderin Mirditorëve. Kapidan Marka Gjoni do t’ja kthente nderin Ahmet Zogut me ndihmën e tij që i dha për t’u bërë Ministër i Brendshëm dhe më pas Kryeministër, poashtu dhe ndihmën që i dha për t’u kthyer në Shqipëri duke marrë pushtetin në Dhjetor të vitit 1924. Ahmet Zogu do i mbante pranë Mirditorët veçanërisht Kthellasit e Mirditës të cilët i bëri deri dhe Adjutantët e tij si Major Llesh Topallain, Nëntoger Preng Ndrec Mollën dhe shumë të tjerë si në xhandarmëri paoshtu dhe në ushtri. E vërteta është se Mbretëria Shqiptare nuk ka patur një ushtri të organizuar dhe të pavarur për tu quajtur e tillë sepse në vitin 1928 në krye të grupeve të ushtrisë Shqiptare dhe të xhandarmërisë doganore ishin kolonelë italianë dhe çdo batalion kishte një kapiten italian si oragnizues. Pra mund të themi se ushtria Shqiptare ishte nën kontrollin e plotë të Mbretërisë Italiane. Edhe ekonomia Shqiptare jetonte me uhatë e marra në të holla nga Mbretëria e Italisë. Kriza ekonomike e vitit 1929 e ktheu ushtrinë Shqiptare gati, gati në një ushtri rezerviste për shak të mosfinancimit të saj. Me 7 Prill 1939 ushtria e Mbretërisë Shqiptare bashkë me xhandarmërinë në total kishin një efektiv prej 9.000 vetësh. Pra duket qartë se Mbreti Zog-I me 7 Prill 1939 nuk kishte një ushtri që ti bënte ballë ushtrisë italiane dhe as oficerë për të dhënë urdhëra, megjithatë ai organizoi një mbrojtje në vijën detare të Mbretërisë së Shqipërisë për t’i bërë ballë një sulmi të mundshëm që pritej të bëhej nga italia fashiste. Dy muaj para 7 Prillit 1939 Mbreti Zog-I grumbulloi 7.000 forca rezerviste të mbledhura nga Mati, Dibra, Lura dhe Kthella e Mirditës të cilat i konsideronte si krahinat më besnike të tij dhe i stërviti në Tiranë si dhe përgatiti rreth 3.000 armë për t’ia dërguar Kapidanit të Mirditës Gjon Marka Gjonit për të mbrojtur Mirditën në rast të ndonjë sulmi nga italia. Në mëngjesin e 5 Prillit 1939 Mbreti Zog-I do të bëhej baba dhe do të shtohej me djalë, po në darkë në orën 22:00 në radio Roma vetë Musolini mban një fjalim duke njoftuar popullin italian se 38. 000 forca ushtarake italiane janë nisur për në Shqipëri për të zbarkuar në portet e Sarandës, Vlorës, Durrësit dhe Shën Gjinit. Forcat fashiste italiane janë parë në Tiranë që me datën 6 Prill 1939 si dhe avionët italian kanë filluar të fluturojnë mbi qiellin e tokës Shqiptare që në mbasditën e 6 Prillit. Mbreti Zog-I kishte filluar luftën e tij politiko-diplomatike që me marrjen e ultimatumit të Musolinit me datën 25 Mars 1939. Me 5 Prill i kërkoi Ministrit Italian Jakomonit për të shtyrë afatin e ultimatumit, afat që mbaronte me 6 Prill në orën 12:00 dhe ky afat u shty për në orën 24:00 po të kësaj date. Mbas zbutjes dhe moderimit të ultimatumit të datës 25 Mars dhe riformulimit të tij me 2 Prill, Mbreti Zog-I vendosi në krye të frontit për mbrojtjen e Durrësit Major Abaz Kupin, Togerat Ndue Pal Dedën nga Kthella e Mirditës dhe Gjon Dostanishtën. Sipas dëshmisë të Nikoll Melyshit me gradën Kapiten i ushtrisë shkruan: « Me datën 6 ora 4 pas dreke me urdhër të grupit të dytë u paraqita në komandën e xhandarmërisë së Elbasanit dhe prej aty, bashkë me 30 xhandarë, nisemi me nji kamion civil për në Durrës. Paraqitemi në fushën e sportit të Durrësit me dy orë para se me marrë dielli. Unë mejtojshem se atje do të gjejmë forcat ushtarake efektive të mbrojtjes kombëtare, nëse gjeta një mishmash, ku ishin mbledhë, në formë rrebelimi ushtarakë e civila bashkë, jo ma shumë se 200 vetë nën komandën e Majorit të xhandarmërisë Abaz Kupin, kishte pranë vetes dhe togerat Ndue Pal Dedën dhe Gjon Destanishten, të cilëve u ishte besue fronti i mbrojtjes Kombëtare të Durrësit. Major Abaz Kupi ishte tue dhanë urdhna me zanë pozicionet e mbrojtjes; mua bashkë me 30 xhandarë e civila më dhanë pozicionin e Bishtit të Pallës ». Porti i Durrësit mbrohej nga forcat e xhandarmërisë doganore dhe pas doganës ishin vendosur forcat e sigurisë të Mbretit Zog-I që sipër tyre ndodhej rezidenca Mbretërore (Vila e Zogut). Afër Currilave ndodhej edhe një bateri altilerie në mbrojtje të bregdetit të Durrësit. Mbasi Musolini nuk e shtyu ultimatumin përtej mesnatës së 6 Prillit, por i dha mundësinë që propozimet e bëra nga Mbreti Zog-I t’ja parashtronte edhe një herë gjeneralit italian A. Guconit që pushtimi i Shqipërisë të legalizojë në një konventë ushtarake. Mbreti Zog-I në mesnatën e 6 Prillit thirri menjëherë Adjutantin e tij Preng Ndrec Mollën dhe e nisi për në rezidencën Mbretërore të Durrësit i shoqëruar me tre kamionë me forca shtesë të xhandarmërisë, por biseda mes Mbretit Zog-I dhe Adjutantit të tij Preng Ndrec Molla mbetet e panjohur, por dihet se me mbërritjen e tij në Durrës bashkë me forcat e xhandarmërisë u vendos në pozicion mbrojtjeje tek rezidenca Mbretërore, ndërsa Abaz Kupi me shtabin dhe forcat e tij tërhiqet dhe vedoset në Shijak. Sipas Kapitenit Nikoll Melyshi: « Komandanti i mbrojtjes së Durrësit me dy ndihmësat oficera të vet kaluan urën e Dejlanit me makinë përpara se me zbarkuar italianët e me bllokue urën, me daljen (gdhimen) e dritës Durrësi u mbush plot me ushtarë italian ». Në orën 4:30 forcat e ushtrisë italiane i janë afruar bregdetit të Durrësit dhe një grup ushtarësh janë paraqitur pranë doganës i cili Mujo Cakuli i ka kërkuar ushtarëve italian mjetin e identifikimit. Ushtarët italian nuk janë treguar të disiplinuar dhe seriozë ku kanë filluar të tallen me të duke i thënë se çfarë dokument identifikimi kërkoni ju, hapni portin se ne jemi pushtues dhe nuk kemi ardhur për turizëm. Kaq ka mjaftuar që Kapter Cakuli bashkë me grupin e shërbimit ngrehën armët mbi ta dhe në të njëjtën kohë ka ndezur sirenat e alarmit, mbas ndezjes së sirenave të alarmit dhe dëgjimit të krismave të armëve kanë reaguar dhe forcat e xhandarmërisë të vendosura pranë rezidencës Mbretërore të komanduara nga Adjutanti Preng Ndrec Molla duke hapur zjarr mbi forcat italiane të cilët deri në zbardhje të ditës ku italianët kanë vënë në përdorim altilerinë e rëndë dhe nuk i kanë lënë të zbresin në bregdet. Nga qëndresa që u bë nga forcat e xhandarmërisë Shqiptare mbetën të vrarë Kapter Cakuli bashkë me grupin e tij të shërbimit, ndërsa nga ana e italianëve mbetën të vrarë rreth 400 ushtarë.

Preng Ndrec Molla (1901-1947)
Adjutant i Mbretit Zog-I

Pas zbarkimit të forcave fashiste në bregdet, Adjutanti Preng Ndrec Molla bashkë me forcat e tij të xhandarmërisë u tërhoqën për në Shijak dhe pasi u përshëndetën me shtabin e mbrojtjes Kombëtare të Durrësit morën rrugën për në Han të Hotit për të ndaluar sulmin ushtarak Jugosllav. Fatkeqësisht dështuan bisedimet e qeverisë Shqiptare në paraditen e 7 Prillit me Gjeneral Guconin në Durrës që ndër ta ishte edhe Ministri Shqiptarë Rrok Gera. Mbreti Zog-I besonte se Fuqitë e Mëdha do të ndërhynin për të stabilizuar gjendjen në Shqipëri. Me 8 Prill kemi prononcimin e Presidentit Amerikan Roosvelt i cili e dënon pushtimin e Shqipërisë dhe pas këtij prononcimi asgjë, vetëm heshtje nga Fuqitë e Mëdha. Me 9 Prill Mbreti i Greqisë i telefonon Mbretit Zog-I se nëqoftëse doni të vini pranë fëmijës dhe bashkëshortes që ndodhet në gjendje të rëndë, këtë gjë duhet ta bëni para orës 24:00 sepse do të mbyllën kufijt e Mbretërisë Greke e cila kjo gjë do të jetë edhe për ju. Në orën 23:00 të datës 9 Prill Mbreti Zog-I i shoqëruar nga anëtarët e Parlamentit, anëtarët e qeverisë dhe Oborri Mbretorër kanë kaluar kufirin shqiptaro-grek dhe ka arritur në Follorinë pranë djalit dhe bashkëshortes së tij Geraldina. Mbreti Zog-I u largua nga Shqipëria dhe pavarësisht akuzave që ngrihen ndaj tij, Ai mbetet një nga figurat më të paarritshme në llojin e vet aq të veçantë dhe të papërcaktuar, i cili asnjëherë nuk e ndali luftën e tij për të mirën e Kombit Shqiptarë, ndërsa për 7 Prillin 1939 nuk mund të mohojmë qëndresën e xhandarmërisë Mbretërore Shqiptare kundër forcave fashiste italiane.

Leon Molla
Autor i librit GERALDINA KONTESHA QË U BË MBRETËRESHË
i cili shkrimi i mësipërm është marrë po në këtë libër, faqe 76-82

Media Independent

3 commentaires

Votre commentaire

Entrez vos coordonnées ci-dessous ou cliquez sur une icône pour vous connecter:

Logo WordPress.com

Vous commentez à l’aide de votre compte WordPress.com. Déconnexion /  Changer )

Image Twitter

Vous commentez à l’aide de votre compte Twitter. Déconnexion /  Changer )

Photo Facebook

Vous commentez à l’aide de votre compte Facebook. Déconnexion /  Changer )

Connexion à %s